
Stevan Jovetic, njëra nga alternativat e Juventusit për të përforcuar repartin e sulmit digjet. Pasditen e djeshme, fantazisti malazez ka zhvilluar një takim me presidentin e Fiorentinës, Andrea Della Valle.
Pas takimit, presidenti i “vjolëve” në një intervistë për Gazzeta Dello Sport tha se Jovetic është një lojtar i pashitshëm.
“Fola me Jo-Jo. Realiteti është një dhe i vetëm; është një lojtar i pashitshëm dhe shpresoj që këtë ta ketë kuptuar edhe ai vetë”, citohet numri një i Fiorentinës.
Pas kësaj pritet që bardhezinjtë t’u mëshojnë më shumë dy alternativa të mbetura, të paktën për momentin, Van Persi dhe Dzeko. Ndërkohë që plani B është marrja e Pazzinit nga Interi.
Sa i përket Interit, zikaltërit nuk kanë përfshirë në listën e lojtarëve që do të luajnë në eleminatorët e Ligës së Europës, as portierin Julio Cesar dhe as sulmuesin Pazzini. Do largohen? Me ardhjen e Handanovic, largimi i Cesar u bë një fakt i kryer thuajse, ndërsa Pazzini është një lojtar që nuk gëzon besimin e trajnerit Stramaconi.
Mediat italiane njoftojnë që ndarja mes Interit dhe portierit brazilian mund të ndodhë brenda pak orëve, ndërsa për Pazzini do të duhet pak më shumë kohë, pasi përvec opsionit të shitjes ekziston edhe mundësia e shkëmbimit kokë më kokë me sulmuesin e Juventusit, Quagliarella.
Top Channel