Bota me sytë nga Londra, detajet e ceremonisë

27/07/2012 08:30

Pas shtatë viteve përgatitje, Londra është gati të nisë sot në orën simbolike 21:12 minuta (me orën tonë) lojërat olimpike me një ceremoni madhështore në stadiumin olimpik të qytetit, ceremoni e pagëzuar si “Ishulli i çudirave” 80 mijë persona do të kenë mundësi ta ndjekin nga afër spektaklin e hapjes, ndërsa miliona do të ngulen para televizorit.

I gjithë spektakli 3 orësh i hapjes i është besuar producentit Danny Boyle. Për mediat e interesuar në këto orë të fundit para nisjes së shumësportëshit ai tha se ceremonia e hapjes e Londër 2012 do të jetë e paparashikueshme e plot risi, ashtu si populli britanik.

Ceremonia do të nisë me mbërritjen në stadiumin olimpik të Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabetë e cila do të pritet nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge. Më pas mbërrin parada e atletëve sipas rendit alfabetik të shteteve, përvec Greqisë e cila hyn e para në olimpiada dhe vendit organizator, në këtë rast Britania e Madhe që hyn e fundit.

Menjëherë pas mbërritjes së sportistëve, kreu i komitetit olimpik ndërkombëtar, Rogge do të mbajë një fjalim. Në përfundim ai do të ftojë Mbretëreshën Elisabetë për të deklaruar “çeljen zyrtare të lojërave olimpike”.

Një tjetër moment i rëndësishëm i ceremonisë së hapjes është edhe mbërritja në stadium e flakës olimpike. Me flakën olimpike, që ka përshkruar mijëra e mijëra kilometra, ndizet kupa e zjarrtë që do të qendrojë e ndezur përgjatë gjithë ditëve të olimpiadës.

Organizatorët kanë angazhuar një personel prej 15 mijë vetash për ceremoninë e hapjes dhe të mbylljes së lojërave olimpike dhe parashikojnë një audiencë prej 4 miliard personash në mbarë botën.

Kjo është olimpiada e 30-të ku marrin pjesë 204 shtete dhe rreth 10 mijë e 500 atletë që do të garojnë në sportet përkatëse deri më 12 gusht, ditën e fundit të lojërave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA