Berisha dhe Jahjaga në Londër

27/07/2012 00:00

Disa orë përpara fillimit të Lojrave Olimpike në Londer, Presidentja e Kosovës, vendi i të ciles nuk përfaqësohet në këto Lojra dhe Kryeministri i Shqipërisë, janë takuar me ekipin olimpik, që ka ardhur në Londër, duke u uruar atyre suksese në këtë veprimtari madhore.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e pashpjeguar e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Londer, por që burime diplomatike thanë për “Top-Channel” se ka qenë në një angazhim tjetër, duke mos pranuar të specifikojë, nëse ishte angazhim privat apo zyrtar.

Presidentja Jahjaga, e cilësoi simbolike pjesëmarrjen në këtë takim me sportistët që “na bëjnë krenarë për pjesëmarrjen e tyre në Olimpiadën e Londrës”.

“Dua të uroj dhe përgëzoj për një pjesëmarrje tuaj të denjësishme dhe të gjithë ne sot jemi me sportistët, jemi në shpirt të sportistit dhe me shpirt e me zemër dëshirojme fitoren tuaj”, iu drejtua Jahjaga ekipit tonë olimpik, në të cilin është edhe xhudistja Majlinda Kelmendi, e vetmja kosovare pjesëmarrëse në Londër 2012.

Ndërkohë, kryeministri Berisha i tha sportistëve shqiptarë se suksesi i parë i tyre ishte të vinin në Londër si përfaqesues të një kombi të bashkuar. Duke iu drejtuar Majlinda Kelmendit, xhudistes nga Kosova, shpresës më të madhe për medalje së bashku me Romela Begajn, Berisha tha: “Majlinda, ti je në fakt faktori më kryesor i këtij ekipi tëpërbashkët  dhe të gjithë jemi tifozë tuaj dhe kemi shumë besim që ky akt dhe ky gjest i yti do të kurorëzohet me suksesin që t’i meriton dhe  që sportistët tanë meritojnë”.

Edhe pse kishte me pak se nje orë nga mbërritja në Londer, Berisha falenderoi mikpritësit për këtë organizim të shkelqyer, siç tha ai të këtyre Lojrave.

Por, askush nga drejtuesit e lartë të dy shteteve nuk përmendi qoftë edhe tangent, skandalin që ka përfshire ekipin olimpik shqiptar për shkak të testit pozitiv të dopingut për një nga peshëngritësit.

Sipas burimeve konfidenciale të “Top-Channel” brenda ekipit, provat e bëra nga autoritetet olimpike antidoping janë mjaft të forta kundër peshëngritësit shqiptar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta