
Në një kohë që vendi i tyre numëron përditë me dhjetëra viktima për
shkak të regjimit të presidentit Bashar Al Assad, atletët sirianë kanë
finalizuar përgatitjet e fundit për Olimpiadën e Londrës. Sportistët nga
Siria kanë qenë në gjendje të përgatiten në vende të sigurta për
lojërat e kësaj vere, edhe pse në shtetin e tyre ka revoltë dhe
gjakderdhje masive.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka regjistruar dhjetë atletë, gjashtë meshkuj dhe katër femra, të cilët do të garojnë në shtatë disiplina të ndryshme në Londër. “Kemi shumë vende që janë të qeta dhe të sigurta për stërvitje dhe aty ishin atletët tanë. Nuk ka rrezik dhe revolucion në mbarë Sirinë, janë vetëm disa vende të caktuara”, tha Samih Mudalal, anëtar i Komitetit Olimpik të Sirisë dhe atij Ndërkombëtar.
Propaganda e tij ngjasonte me presidentin famëkeq Assad, protestat kundër të të cilit kanë filluar në muajin mars të vitit të shkuar. Ato janë shndërruar në një luftë civile, ku sipas aktivistëve të paktën 19 mijë persona e kanë humbur jetën deri më tani. Në Olimpiadën e Londrës, atletët sirianë pritet të japin edhe një mesazh të përbashkët paqeje për ndaljen e gjakderdhjes.
Top Channel