Ish-presidenti Topi: Në 2013 duhet rotacion politik

26/07/2012 00:00

Në një studio ku kanë qenë të pranishëm presidentë në detyrë, në pension, të sapozgjedhur apo të tjerë të mbetur në kandidatë, Bamir Topi ishte i pari që u shndërrua në presidentin që largohet për të shpallur rikthimin e tij në politikë.

Ishte pikërisht kjo ajo që bëri tashmë ish-presidenti Topi, që në studion e Sokol Ballës, në “Top Story”, shpalli ripërfshirjen e tij aktive në politikë, deklaroi ndarjen perfundimtare nga rradhet e PD-së, avancoi nje takim te javes se ardhshem me FRD-ne, komentoi pesë vitet e kaluara në krye të shtetit, momentin aktual të politikës shqiptare, të ardhmen e tij personale dhe shumë çështje të tjera me interes publik.

Sokol Balla – Gjendeni tashmë përballë opinionit publik, i zhveshur nga funksionet publike dhe pyetja e parë është e natyrshme. Çfarë do të bëni me lirinë tuaj?
Ish-presidenti Topi – E vërteta është se e kam ndjerë veten gjithmonë të lirë, pavarësisht impenjimeve. Në një kontekst tjetër, i lirë nga detyrimet institucionale njeriu fiton një dimension të ri. Përveç privilegjit dhe nderit që kam pasur për të qenë president për pesë vjet, pa dyshim që kam fituar shumë përvojë në atë institucion, i cili të jep shansin edhe të prezantohesh ndërkombëtarisht dhe të fitosh eksperiencë, e të fitosh eksperiencë nëpërmjet komunikimit me shumë faktorë njëkohësisht. Pa dyshim, fitova një dimension të ri në atë detyrë, e tashmë jam i gatshëm për sfida të reja sepse siç ju e thatë dhe unë mendoj se kam qenë gjithmonë koherent, që pas përfundimit të mandatit do të pronocohesha dhe tashmë mund të them që do të qëndroj në politikë.

Sokol Balla – Është fakt që presidenca juaj ka përkuar me një 5-vjeçar të trazuar dhe me shumë ngjarje. Mund të themi që ka qenë një mandat i ndërlikuar.
Ish-presidenti Topi – E vërteta është se nuk prisja pozicion të lehtë kur pranova detyrën, sidomos duke i njohur shumë mirë personazhet e politikës, që për hir të së vërtertës nuk kanë ndryshuar në thelb, janë po të njëjtit personazhe, në mjaft raste personazhe problematikë, në krijimin e situatave konfliktuale. Është e qartë që nuk shkon në atë pozicion për ta pasur të lehtë, por për t’i shërbyer shtetit dhe popullit. Ky ka qenë motivi i futjes sime në politikë, unë nuk erdha nga rruga, erdha nga rrethet akademike dhe jo rastësisht kam thenë që politika parlamentare e vitit 1996 ka qenë shumë e kualifikuar, por në vend që gjërat të përmirësoheshin, erdhën duke u përkeëqësuar në klimën e demokracisë dhe ambientin parlamentar. Kishte më shumë njerëz të edukuar atëherë, nuk kishte dhunë verbale dhe psikologjike në këto nivele. Mendoj se Shqipëria ka bërë progrës, por nuk mund të thuhet që ky progres i dedikohet klasës politike që ushqehet me konfliktin.

Sokol Balla – Një ngjarje e ndodhur përpara disa ditësh, kur u bllokuat si pasojë e asaj avarie në traget në det. Përse refuzuat evakuimin nga forcat shqiptare apo italiane qofshin?
Ish-presidenti Topi – Në asnjë moment në fakt nuk e kam menduar si mundësi evakuimin. Pavarësisht pozicionit tim, në rast se je në një mjedis së bashku me qytertarët, kurrsesi nuk do të ishte e falshme që presidenti të braktiste tragetin, qoftë edhe me atributet e tij si president ndaj mendoj se nuk veprova në mënyrë të sforcuar, por natyrale. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.

Sokol Balla – Një tjetër çështje që ka ngjallur shumë debat ishte heqja e të drejtës së fjalës në ceremoninë e dorëzimit të detyrës tek Presidenti Nishani. Në ceremoninë protokollare, ju u përcollët me heshtje. Kjo ishte zgjedhje e juaj apo e protokollit?
Ish-presidenti Topi – Presidenti nuk është ai që bën protokollin, atë e realizon qeveria dhe ndryshimi i fundit është bërë me një vendim të Këshillit të Ministrave. Nuk dua të futem në këto komente, edhe sepse nuk e mora me kompleksitet këtë çështje të heshjes, ndonëse ndryshimi në momentin e fundit nuk ishte diçka normale. Kush e bëri këtë ndryshim? Të gjithë e dinë kush është shefi i protokollit, përderisa bëhet me VKM, por nuk dua të zgjatem më tej.

Sokol Balla – Dukeshit dashamirës ndaj Presidentit Nishani në momentin e dorëzimit të detyrës. Cili është vlerësimi juaj për të?
Ish-presidenti Topi – Mendoj se kjo është normale, pasi së pari unë e kam deklaruar edhe kohë më parë që do të bëj dorëzimin siç i ka hije atij institucioni. Transmetimi i pushtetit duhej bërë në mënyrë qytetare dhe dashamirëse, ndaj i kam uruar me zemër zotit Nishani që të ketë një presidencë të suksesshme dhe i bëra një apel që ai institucion ka nevojë të mbështetet nga aktorët e politikës. Është një institucuion shumë përfaqësues, i jep dinjitet popullit dhe shtetit shqiptar. Përsa i përket Nishanit, vlerësoj se ai është një njeri i ekuilibruar, vjen nga politika dhe unë kam përkrahur këtë model, sepse po të vinte nga rrethe të tjera, qofshin akademike, do të përballej me situata që një njeri që nuk është përballur nuk do të ndihej mire.

Sokol Balla – Duke komentuar kandidatët, mendoni se Nishani ishte një kandidat më i mirë se Zaganjori apo Hoxha?
Ish-presidenti Topi –
Nuk dua të futem në emra, them vetëm që është mirë që presidenti u zgjodh nga radhët e politikës.

Sokol Balla – Në lidhje me reformën e drejtësisë, ju shpesh keni sugjeruar se ajo mund të bëhet vetëm në Parlament. Cila është përgjegjësia juaj si President në moszbatimin e kësa reforme?
Ish-presidenti Topi – Reformat politike, legjislative dhe ato që lidhen me fushën e drejtësisë realizohen eksluzivisht në Parlament. Institucionet e tjera kanë akte rregullatore. Edhe vetë KLD varet me ligj të miratuar në Parlament. Rasti i freskët, sot u miratua një ligj që ka të bëjë me zgjedhjen e nëntë anëtarëve të KLD-së.

Sokol Balla – Numri dy i Partisë Demokratike, kryetar i grupit parlamentar në pozitë dhe maxhorancë, ju patët shumë përplasje me maxhorancën, personale apo për shkak të institucionit. Shumë shpejt, Presidenti Nishani do të përballet me zgjedhjen e kryeprokurorit apo kryetarit të ri të SHISH-it. Mendoni se pikërisht këto emërime të rëndësishme që janë në fokusin e tutorëve tanë ndërkombëtare mund të sjellin përplasje mes Nishanit dhe qeverisë?
Ish-presidenti Topi – Në rastin e kryeprokurorit, sipas kushtetuës, është presidenti që i jep Parlamentit një emër që duhet të marrë pëlqimin e Parlamentit për t’u bërë kryeprokuror, ndërsa tek SHISH-i propozon kryeministri dhe dekretohet nga presidenti. Nuk është një procedurë e karakterit formal, por një procedurë e rëndësishme, për t’i dhënë kredibilitet institucioneve të shtetit ligjor dhe atyre të pavarura. Prandaj ky relacion nuk është formal, por edhe mund të bëhet i tillë. Kjo do të varet nga raporti që vetë Presidenti do të vendosë me Parlamentin dhe qeverinë.

Sokol Balla – A mendoni se mënyra se si ju u zgjodhët president në korrik 2007, me vota që u morën nga krahu tjetër, ju krijoi që në fillim një ngërc në kryerjen e detyrës suaj si president. A jeni penduar për mënyrën se si u zgjodhët në krye të shtetit?
Ish-presidenti Topi – Unë shpreha publikisht dhe falenderova njerëzit që erdhën për të votuar atëherë, disa madje nga deputetët që më votuan nuk i njihja personalisht. Pasi nisa të ushtroj detyrën, unë kam mbajtur kontakte me të gjithë personazhet e politikës, duke krijuar një model që qëndron mes palëve, duke qenë totalisht i paanshëm. Mora 85 vota, një më shumë nga sa duhej, por besoj se modeli i ngritur ishte një model barazpeshe që funksionoi.

Sokol Balla – Ju i kundërshtuat ndryshimet kushtetuese me forcë në vitin 2008. Mendoni se keni pasur të drejtë që dolët kundët tyre?
Ish-presidenti Topi – Fatkeqësisht, ka dalë parashikimi im, që ndryshimet u bënë për uzurpimin e pushteteve dhe në çdo intervistë që kam pasur, jam pyetur për këtë dhe tashmë është e qartë që kjo klimë solli anomali dhe prishi barazpeshën e pushteteve në Shqipëri.

Sokol Balla – Cili është qëndrimi juaj për ndryshimet e reja kushtetuese?
Ish-presidenti Topi – Unë kam deklaruar se jam në mbështetje të heqjes së imunitetit, por çdo ndryshim kushtetues duhet të bëhet me një thellim të madh, pasi nuk është serioze që të vendoset vazhdimisht dorë mbi ligjin themeltar të shtetit.

Sokol Balla – Gërdeci është një ngjarje e fortë me shumë prapaskena që ndodhi gjatë mandatit tuaj. Në qershor 2009, në këtë emision ju hodhët kritika ndaj disa institucioneve të përfshira në demontimet. Cila ka qenë ngjarja më e vështirë, Gërdeci apo 21 janari?
Ish-presidenti Topi – Të dyja kanë pasur peshën e saj specifike. Gërdeci, me 26 të vrarë dhe shumë të plagosur, një shkatërrim të bizneseve dhe pronës, me traumën psikologjike kombëtare, ishte një ngjarje që tronditi jo vetëm presidentin, por mbarë shoqërinë. Ajo që thashë në atë intervistë qëndron, pasi konstatova në mbledhje se informacionet që vinin nga njerëzit në terren ishin të vakëta, njerëz që nuk kishin dijeni dhe ndërkohë të punohet në aks Tiranë-Durrës, afër Rinasit, përgjegjësia nis me autoritetet etj… Kjo ngjarje u ezaurua nga pikëpamja e përgjegjësive dhe një keqardhje është edhe kohëzgjatja e gjyqit që nuk ka ende një verdikt final që do të qetësonte shpirtërisht viktimat.

Sokol Balla – Në një tjetër zhvillim, në një tjetër proces të rëndësishëm, sot u la i lirë ish-shefi IT i Kryeministrisë, ndërsa hetimet dështuan të ndëshkojnë faktorët politikë. Opinioni publik përfshi edhe kryeministri Berisha beson se sistemi i drejtësisë sot është më keq se pesë vjet më pare. Në vlerësimin tim, Gjykata e Lartë është kthyer në kolegj grerëzash politika, kushtetuesja është bërë anemike. Si president, cila është përgjegjësia juaj në këto zhvillime jo të gjitha pozitive?
Ish-presidenti Topi – Në momentin që presidenti dekreton një emër, ky vjen dhe monitoret në Parlament ku merr verdiktin. Pas këtij momenti, parimi i ndarjes së pushteteve, askush nuk mund të argumentojë vendimet e gjykatës. KLD ka marrë vendime që mund të jenë rrëzuar nga Gjykata e Lartë, që ndonëse ka një atribut kushtetues, kjo s’do të thotë të komentosh vendimet e gjykatave. Sigurisht, me të drejtën e të qënit gazetar, opionionist, publiku duhet të bëjë komentet, por unë i jam bashkëngjitur që sistemi i drejtësisë ka pasur dhe ka nevojë të rrisë performancën dhe kjo vërtetohet nga ankesat e shumta që lidhen me shumë çështje, më e dukshmja e të cilave është pronësia, por që zgjerohet shumë më tej.

Sokol Balla – A keni diçka që nuk e keni thënë akoma rreth 21 janarit?
Ish-presidenti Topi – Jo, ishte një histori tragjike, e kam thënë edhe në mesazhin e dhënë para dy ditësh më “Top-Channel”, një ditë përpara se të largohsha, që institucuioni asnjëherë nuk prodhoi konflikt, por tentoi të zgjidhte konlitktet që vinin nga politika dhe 21 janari është produkt i konfliktualitetit politik që nisi me konflikt verbal, jashtë çdo komunikimi qytetar e fyerje publike, deri ku precipitoi në dhunë dhe pati ata të vrarë e të plagosur. Një ngjarje e rëndë dhe e shëmtuar, edhe më e shëmtuar akoma tentativa për të deformuar atë që ndodhi e sulmuar institucionet. Megjithatë, është një çështje që ka marrë përgjigje publike sepse ato lloj halucionacionesh dhe akuzash, patjetër që erdhi koha të shihen që ishin pozicione totalisht politike për të sulmuar të gjithë.

 

***


Më 27 Janar 2011, pikërisht gjashtë ditë pas ngjarjeve të 21 Janarit, në një deklaratë nga kryeministria, kryeministri Sali Berisha kritikoi qendrimin e atëherë Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

“Ata që flasin për ngjarje në boulevard, nuk janë gjë tjetër, më falni për fjalorin, vecse horra dhe lavire bulevardi”, do të deklaronte kryeministri Berisha në atë kohë. Kjo ndoshta ishte goditja e fundit që do t’i mbyllte derën rikthimit të Bamir Topi në radhët e Partisë Demokratike.

Ish Presidenti Topi: Partia Demokratike është një kapitull i mbyllur nga ata që e priten ditën të më largojnë, qoftë me ngritje në detyrë. Asnjëherë nuk jam sulmuar aq shumë nga ata me të cilët kam bashkëpunuar.

Sokol Balla: Megjithatë duhet t’i jeni mirënjohës Partisë Demokratike që ju ngjiti në postin më të lartë…

Ish Presidenti Topi: Sigurisht, por medalja ka dy anë. Para 2007 ka patur 2005. Rruga e PD në ato vite ka kaluar nëpër sfida shumë të rëndësishme.

Sokol Balla: Si u bëtë president në 2007? U fol se në atë verë ju iu imponuat Berishës për këtë pozicion. Që të mos interpretohet si tekë, i bie që ka patur një histori?

Ish Presidenti Topi: Nuk e kam kërkuar asnjëherë të bëhem president. Ka qenë një propozim i mazhorancës dhe përgjigja ka ardhur direkt po. I kam qendruar kësaj bisede deri në fund kur pashë që propozuesi me terma popullorë nisi ta dredhë pakëz. Pati një devijim të qartë dhe të vullnetshëm për t’iu shmangur ofertës së parë.

Sokol Balla: Ndoshta Berisha është tërhequr sepse mazhoranca s’kishte votat?

Ish Presidenti Topi: Nuk e kam menduar asnjëherë që ka ardhur ndryshim mendimesh për shkaqe objektive, pastaj historia tregoi të kundërtën, unë u zgjodha.

Sokol Balla:  Ka patur një debat me Berishën brenda PD…

Ish Presidenti Topi: Ka patur një bisedë në grupin parlamentar. Ka dëshmitarë, gjërat kanë qenë shumë parimore. Kur je në politike cështjet ndahen për parimet e më pas për interesat politike. Nuk besoj që të ketë hyrë një njeri në politikë për t’i shërbyer dikujt. Unë s’e kam bërë këtë. E kam konsideruar veten bashëkpunëtor, asnjëherë shërbëtor.

Sokol Balla: Pas 2005 u fol për një tension të raport tuaj me Berishën, mbështetur nga fakti që as ju dhe as mbështetësit tuaj nuk u përfshinë në kabinet.

Ish Presidenti Topi: Ka patur një periudhë që shkoi vetëm me konsultime me partnerë jashtë PD. Kishte keqardhje që para se të konsultohej me një nga nënkryetarët e PD, nisi akordin me përfaqësues të partive që kanë qenë në opozitë. Zoti Xhuveli dhe Partia Agrare u ftua në koalicion, ndërsa unë këto biseda nuk pata mundësi t’i ezauroja. Berisha foli më parë më Xhuvelin e më pas me ne. Duke qenë deputeti më i votuar në rang kombëtar, mendoj se ky ka qenë një moment mosfunksionimi, apo i hidhur në marrëdhëniet brenda. Vazhdoi më pas me tensione. Unë vazhdova në detyrën e kreut të grupit parlamentar. Të premtosh, ose të bësh një ofertë për Ministër Bujqësie, në kohën kur ajo u nda në 7 copa?! Nuk ishte në profiling tim. Të marrësh një parti të majtë në koalicion pa qenë nevoja, për mua është një gabim për cështjet parimore

Sokol Balla: Gjatë ceremonisë së ndërrimit në Presidencë, u kthyet kurrizin Berishës dhe Topallit…

Ish Presidenti Topi: Jo, absoluitisht jo. Ceremonia ishte për Nishanin dhe i kam përshëndetur të gjithë. C’kam patur për të dhëne dhe vlerësuar në marrëdhënien time e kam thënë hapur. Komunikimi formal është etik.

Sokol Balla: Tani që s’jeni president, jeni politikan, a keni një opinion më të sinqert si po qeveriset ky vend?

Ish Presidenti Topi: Deri më tani kapëm disa momente të komunikimit të institucionet që në mjaft raste kanë lënë shumë për të dëshiruar. Asnjëherë më shumë se gjatë këtij mandati nuk jam sulmuar nga ajo parti që kontribuova për shumë vite, për arsye të pastra politike. Një inspirim i atyre që janë atje vetëm për të ngritur dorën, kur sulmi adresohet ndaj institucioneve të pavarura, me fjalë të padenja. Nuk ka një klimë demokracie në partitë politike, mungesa për reformë zgjedhore tregon që po shkojmë drejt autoritarizmit. Gjithcka ka shkuar në një mekanizëm ku me një mazhorancë të thjeshte emëron të gjitha strukturat e shtetit. Nuk po shkohet në drejtimin e duhur, dhe mjedisi politik ka nevojë të menjëhershme për të parë funksionimin e demokracisë. Një administratë që gjithnjë e më shumë po politizohet. Të gjithë ata që kanë shërbyer tek presidenti, 24 orë më pas janë pushuar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare që varet nga kryeministri, qeveria. Këto gjëra janë për t’u demaskuar publikisht, sepse të shkojë kjo armiqësi deri tek kuzhinieri, kjo është një frymë primitive e sjelljes me pushtetin. Kur kjo bëhet me njerëzit që kanë shërbyer ne institucionin e presidenti, imagjinoni me njerëzit e thjeshtë. Kjo tregon që  njerëzit kërkojnë të politizojnë administratën, të frustruar, njerëz që kanë frikë të komunikojnë, frymë e komunizmit. Shikoni RTSH. Nëse këtu ka një psikologji që gjitha pushtetet duhet të drejtohen nga një dorë me formim retrospektiv komunist, tregon që është vazhdim i një psikologjie që shqiptarët duhet të ishin ndarë në 1992.

Sokola Balla: Ka dy momente e kaluara komuniste; ish të përdnjekurit, prokurori që keni dekoruar dhe që e tërhoqët duke kërkuar edhe ndjesë. Sa është bërë për pronarët dhe ish të përndjekurit? A do të vazhdojë misioni për këtë shtresë yt?

Ish Presidenti Topi: Këtë mund ta thonë vetë të përndjekurit që sot janë në dëshpërim të thellë, që nuk kanë marrë minimumin, ka vetëm deklarime e premtime, ndërsa duhet të kishte qenë veprimi i parë pas ardhjes në pushtet. Pronat është një cështje që mbulon me turp politikën vendimmarrëse, me mundësi reale për ta mbyllur me kohë cështjen e pronës. Prona është në kaos të plotë.

Sokol Balla: Mark Marku ka folur për një akt rithemelimi të PD-së. Si e shikoni lëvizjen e tij dhe ku bashkoheni ju në nevojën për riformatim të kësaj qendre?

Ish Presidenti Topi: Është një gjë që pak më intereson sot. PD nuk është më ajo parti tek e cila ne kontribuam për t’i shërbyer atyre vlerave me të cilat ishim në simbiozë. Fakti që sot nuk kam asnjë lloj afilacioni për atë mjedis, tregon që është larg meje dhe jo se janë prishur raportet. Për fat të keq kam parë që aty nuk ka zë, zërat e vetëm janë ata që marrin urdhër për të hapur “zjarr” kundër personave, institucioneve dhe kjo është një gjë që vite më parë nuk ka ndodhur në atë parti.

Sokol Balla: Pjesë e kujt partie do të jeni? Një mesazh e dhatë pas largimit nga presidenca e mbajtët frymën me një darkë me FRD…

Ish Presidenti Topi:
Ka qenë një ftesë nga miqtë e mi. Më duhet të them që kishte miq që janë në politike dhe që nuk janë në politikë. Brenda kishte politikanë të nderuar dhe nuk përjashtohet që gjatë këtij muaji të jem pjesë konsultive për vendimmarrje politike.

Sokol Balla: Lidhur me vendimmarrjen, darkat janë një taktikë e stërpërdorur. Njerëzit duan të dinë si do ktheheni në politikë…

Ish Presidenti Topi: Ju kam lajmëruar kohë më parë që në probabilitet të lartë e mendoj veten të kthyer në politik. Mbajta një premtim, që nuk e shkela deri në sekondën e fundit sa isha president, që nuk mora pjesë në debate politike. Është fiksuar një takim me Oketën në javën që vjen. Do të diskutojmë gjërë e gjatë për të bërë të mundur një vendimmarrje finale, që mund të mbërrijë në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit.

Sokol Balla: Topi me FRD përfundimisht?

Ish Presidenti Topi:  Do të kem një takim me zotin Oketa, posacërisht për një vendimmarrje politike dhe nëse do të ketë do jetë në këtë linjë që ju e shprehet. U takon atyre të vendosin se cfarë roli do të kem unë.

Sa i përket akuzave të hedhura nga opozita kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Inteligjent Ushtarak, ish-presidenti Topi tha se duhet të vërtetohet në ka patur përgjime dhe kritikoi opozitën e cila sipas tij, nëse vërtet ka patur përgjime, s’duhet ta kishte lënë në mes këtë debat.

Ish Presidenti Topi: Një akuzë s’mund të hidhet e të pushohet duke e lënë në harresë. Unë s’kam informacion as sot e kësaj dite për këto përgjime. Por nëse janë të vërteta është e rëndë. Ata që e thonë duhet të mbajnë përgjegjësi, nëse është bërë ata që e kanë bërë duhet të përgjigjen penalisht.

Sokol Balla: A ka bazë ligjore SHIU të përdorë këto teknika?

Ish Presidenti Topi: S’ka bazë ligjore që SHIU të përgjojë politikanët dhe diplomatët. Ky është një krim penal. Kjo duhet të ishte pjesë e debatit thelbësor. Sot janë të gjitha mekanizmat për të bërë kontrollin. Meraku im është ky, është e shëmtuar nëse ka baza reale, por që të marrim vesh që ka baza reale duhet të shfrytëzohen mekanizmat ligjorë dhe askush nuk mund të thotë që unë nuk lejohem që të kontrollohem. Qeveria duhet t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar. Nëse ka ndodhur kemi të bëjmë me kalimin kriminal të kompetencave.

Sokol Balla: FRD ka mision të dyfishtë; riformatim të qendrës së djathtë, por dhe misionin e bërjes së opozitës…

Ish Presidenti Topi: Kjo është një tezë nuk konsumohet sonte. Do jem në komunkim intensiv që ka të bëjë me një lloj konsultimi me njerëzit që janë në këtë parti dhe nëse do të shkojmë në vendimmarje do bisedojmë me të gjitha cështjet që kanë të bëjnë me vizionin politik, projektin, programit dhe koalicionet.

Sokol Balla: FRD ka një betejë të vështirë; përballë në zgjedhjet e ardhshme do të ketë PD. Kjo e bën betejën të ashpër dhe delikate.

Ish Presidenti Topi: Sonte nuk e kam petkun për të folur në emër të kësaj partie, kur ta kem do të jem shumë i hapur, shumë transparent. Por në politikë nuk ka përballë parti, por një publik që do ta kemi shumë dashamirës.

Sokol Balla: E ndjeni këtë nga kontaktet me njerëzit?

Ish Presidenti Topi: Është perceptim që s’ka nevojë të thellohesh shumë.

Sokol Balla: Shkëputjet nga PD, historia ka treguar nuk kanë qenë të suksesshme..

Ish Presidenti Topi: Nuk ka të bëjë me shkëputje sepse është krijesë në një terren jashtë cdo partie, ka një terren të ri të që nuk ka ngjashmëri me partitë e tjera.

Sokol Balla: A keni komunkimi me Ramën?

Ish Presidenti Topi: Komunikim normal, si gjithmonë.

Sokol Balla: A ju bashkon me Ramën largimi i Berishës?

Ish Presidenti Topi: Absolutisht jo. Unë kam qenë kritik me të dyja palët. Filozofia ime personale politike ka qenë totalisht e ndryshme nga filozofia që kanë demostruar Rama e Berisha, ashtu si ditët e fundit e vërtetuan me Kodin Zgjedhor. Politika në këto niveli i dedikohet dy partive dhe lidershipit të tyre. Politika u është larguar parimeve.

Sokol Balla: Në këtë studio Pandeli Majko bëri një deklarim që pati jehonë për krijimin e një koalicioni të gjërë kundër mazhorancës dhe Majko përmendi edhe FRD, apo AAK. Mendoni që ka vend për nëj debat të tillë?

Ish Presidenti Topi:
Kjo i takon Majkos. Unë s’besoj që është rasti t’i bashkangjitem këtij debati.

Sokol Balla: Si president keni folur pro idesë së rotacionit politik. Tani a jeni në favor të një rotacioni në 2013?

Ish Presidenti Topi: Absolutisht pro. Fakti që kam kritika kaq të forta për mënyrën e administrimit të pushtetit, një tentativë për të patur kontroll edhe tek gjërat më të parëndësishme. Një pushtet që jep këto sintoma, që keqpërdor dhe falsifikon edhe votën e presidenti, atëherë për cfarë duhet të kem besim unë? Pse duhet të kërkoj shenjë tjetër? Nuk ka nevojë të marrim shumë simptoma. Është e domosdoshme të ketë rotacion, por nuk parashikoj se qysh-tek.

Sokol Balla: Tirana 1 vit pas qeverisjes së PD, më mirë apo më keq?

Ish Presidenti Topi: S’e kam bërë këtë analizë sepse kam patur shumë probleme të miat dhe e kam patur të pamundur. Tani që do jem më i lirë mund ta bëj.

Sokol Balla: Për atë që ambientalistët dhe shoqëria civile e quan masakra e Rrugës së Elbasanit, a mund të ishte zgjidhur ndryshe? Një qendrim.

Ish Presidenti Topi: Këtu në Tiranë dhe bregdet akuzohet rëndë politika qendrore dhe lokale e të gjitha kohëve. E keni parë ca ndodh tek kodrat në rrëzë të Dajtit? Një masakër e vërtëtë, kodrat e liqenit, masakër. Njerëzit marrin pushtetin dhe e keqpërdorin. Kjo lloj shoqërie civile që bën shumë mirë që ngre zërin, duhet të kishte qenë ndër vite. Nëse është e nevojshme për ndërhyrje për zgjerim, duhet të ndërhyhet edhe në atë pjesë. Jam absolutisht për ndërtimin e një tuneli, jo më shumë se 600-700 metra shkon. Por me sa duket ata që merren me politikat vendimmarrëse nuk kanë marrë ekspertë.

Në fund të Top Story, duke përdorur termat e futbollit, Bamir Topi la të kuptohej se në politikë do të ishte një “mesfushor” me tipare sulmuese, herë majtas e herë djathtas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA