
Sportistja e vetme që do të përfaqësojë Kosovën në Lojrat Olimpike të Londrës, nën flamurin e Shqipërisë, u përcoll sot me urime nga Prishtina për në kryeqytetin britanik.
Xhudistja Majlinda Kelmendi, pak përpara se të fluturonte drejt Londrës, u takua nga ministri i Kulturës dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili i uroi suksese gjatë një konference për shtyp.
“Në datën 29 korrik, të dielën, sytë e të gjithë shqiptarëve do të jenë të drejtuar nga Londra, atje ku Majlinda do të garojë dhe pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë atë ditë, besoj se mund të themi me bindje të plotë se Majlinda tashmë është fituese. Ajo është në kategorinë e saj më e mira në Europë e në Londër ka shkuar duke kapur normat, e jo me ftesë”, deklaroi ministri Krasniqi.
Nga ana e tij, trajneri i xhudistes, Driton Kuka deklaroi: “Jam shumë i lumtur që sot po nisem drejt Prishtinës, e jo nga ndonjë kryeqytet tjetër, siç ka pasur oferta të shumta Majlinda. Kjo është meritë e komunitetit sportiv, institucioneve shtetërore, në radhë të parë e vetë ministrisë së Sporteve apo e Federatës së Xhudos. Të gjithë këta kanë bërë që Majlinda sot të niset prej Prishtinës dhe të marrë pjesë në Lojra Olimpike, si përfaqësuese e kombit shqiptar”.
Ndërkohë, vetë Majlinda premtoi se do të luftojë për t’u kthyer me medalje në vendlindje. “Unë premtoj se do të jap maksimumin dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, të dielën kur unë do të garoj”, tha sportistja, që së bashku me Romela Begajn, konsiderohet si shpresa më e mirë e ekipit tonë olimpik për të fituar një medalje në Londër 2012.
Xhudisten 21-vjeçare, drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, e percolli ministri bashkë me eskortën e tij. Ajo u përshëndetet nga familjarët dhe qytetarët e shumtë të cilët i uruan sukses dhe përfaqësim dinjitoz.
Majlinda Kelmendi në pamundësi për të përfaqësuar Kosovën është bërë pjesë e ekipit olimpik shqiptar. Shqipëria nuk ka arritur të fitojë asnjëherë një medalje në historinë e pjesëmarrjeve tona në Lojrat Olimpike.
Top Channel