Rezervati më i madh i midhjes në Shqipëri, liqeni i Butrintit po pëson dëme të konsiderueshme ditët e fundit si pasojë e temperaturave që kalojnë të 28 gradë.

Kjo rritje uli përqindjen e oksigjenit dhe për pasojë 90 perqind e molusqeve kanë ndodhur. Fenomeni ka prekur edhe midhjen e re në masën 20 përqind. Qarkullimi ujërave përmes Kanalit të Vivarit nuk ka qenë i mirë sipas detarëve duke bërë që në momente të caktuara llumi i fundit të liqenit të dëmtojë fillimisht ekzemplarët e vendosur në cektësi.

Dëmi është kolosal dhe ai shkon në rreth 15-20 ton për secilin nga 78 impiantet e midhjeve.

“Është një fenomen i rrallë, s’ka ndodhur herë tjetër. Janë probleme që vijnë gjithmonë nga koha, por Butrini s’ka patur ndonjëherë problem të tilla”, thotë Fredi Gjika nga Shoqata e Prodhuesve të Midhjes.

Sipas kreut të Drejtorisë së Shërbimit të Midhjes dhe Peshkimit fenomeni është plotësisht klimaterik.

“Këto janë fenomene madhore të cilat nuk varen nga ne. Janë shumë faktorë që ndikojnë por është ujëshkëmbimi jo i mjaftueshëm nga ana e Kanalit të Butrinit që ndikon më shumë”, shprehet Arjan Demiri i drejtorisë së Shërbimit të Midhjes dhe Peshkimit.

Në liqenin e Butrintit janë 78 impiante midhjesh prej të cilave 62 janë në gjendje pune. Prodhimi vjetor i midhjeve bashkë me guaskën shkon në 13 mijë kuintal dhe një pjesë nuk gjen treg shitje.

Tregu ndërkombëtar u ndërpre në vitin 1994 pas toksikimit me gaz sulfurik që prodhoi tabani i liqenit të Butrinti. Problemi atëherë u zgjidh me thellimin e shtratit të Bistricës, lumë që furnizon me ujë të ëmbël liqenin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB