
Skënderbeu mund të shkruajë historinë, duke u bërë skuadra e parë
shqiptare që arrin turin e tretë paraeliminator të Champions League. Ky
është objektivi i kampionëve të Shqipërisë sot në ndeshjen e kthimit
ndaj Debreçenit në shtëpinë e këtij të fundit.
Korçarët kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe duken më të avantazhuar, pasi kanë në dispozicion dy nga tri rezultatet e mundshme, por janë të vetëdijshëm se do të jetë shumë e vështirë.
Pak para nisjes së stërvitjes së fundit në stadiumin e Nyiregyhazas, trajneri i kampionëve të Shqipërisë ka dhënë edhe konferencën për shtyp.
“Është e rëndësishme që në këtë ndeshje vijmë me një avantazh, pasi kemi fituar ndeshjen e parë, prandaj mendoj se kemi shanse për kualifikim, u shpreh tekniku çek i Skënderbeut, në dukje i buzëqeshur. Debreçeni ka një përvojë më të madhe sesa ne në kompeticionet ndërkombëtare dhe asgjë nuk do të jetë e lehtë. Por ne kemi ardhur këtu (në Hungari) për të treguar se jemi në gjendje të zhvillojmë një tjetër ndeshje si ajo që luajtëm në shtëpi. Kam premtuar se nuk do të luajmë vetëm në mbrojtje të rezultatit, por do të sulmojmë në kërkim të shënimit të golave”. Edhe pas stërvitjes së fundit, gjatë mbrëmjes së djeshme, tekniku i korçarëve nuk ka preferuar të zbulojë formacionin, por thjesht ka premtuar se “do të zgjedh mes lojtarëve që ka në dispozicion e mund t’ju them se ndryshimet do të jenë të pakta në lidhje me skuadrën që luajti në ndeshjen e parë”. Nisur nga fakti që Debreçeni është një skuadër e fortë në shtëpi, trajneri Levi po mendon të hedhë në fushë një skuadër më të kujdesshme dhe me shumë mundësi mund të sakrifikojë njërin prej dy sulmuesve, Xhafajn ose Plakun. Ndërsa me një pamje të qetë është shfaqur edhe trajneri i Debreçenit, Elemer Kondas, edhe pse ekipi i tij rrezikon t’i thotë lamtumirë Champions League. “Unë do të fle i qetë, ka thënë ai në konferencën e mbrëmshme për shtyp. Kemi bërë përgatitjet e duhura dhe tani do ta ketë fjalën fusha. I kemi analizuar gabimet e ndeshjes së parë, ku bëmë një lojë të keqe, pasi nuk ishim mirë moralisht dhe bëmë gabime taktike. Për këtë arsye kam menduar që në ndeshjen e dytë të bëj disa ndryshime në formacionin që do të hedh në fushë kundër Skënderbeut, pasi qëllimi ynë është të japim maksimumin për të vazhduar më tej udhëtimin në Champions League. Nuk duhet të nënvlerësojmë kundërshtarin, i cili është një ekip i mirë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Skënderbeu është më i avantazhuar nga ndeshja e parë. Por shpresojmë që ne të shpalosim një tjetër paraqitje në krahasim me atë të ndeshjes së parë”, u shpreh dje trajneri i Debreçenit. Por pavarësisht largësisë së transfertës, Skënderbeu do të ketë me vete tifozët, të cilët do të udhëtojnë drejt Hungarisë të organizuar me makina dhe autobusë. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se mund të jenë rreth 150 tifozë bardhekuq që do të mbështesin skuadrën e zemrës.
Top Channel