Sulmet e droneve të Shteteve të Bashkuara ndaj talebanëve dhe eksponentëve të Al Kaedas që strehohen në territorin pakistanez, pranë kufirit me Afganistanin janë shndërruar në burim konflikti dhe tensionesh diplomatike mes dy vendeve.
Për t’i dhënë fund kësaj, Pakistani kërkon nga Uashingtoni ndihmë në zhvillimin e teknologjisë së droneve (avionë bombardues pa pilotë) në mënyrë që t’i ndërmarrë vetë këto sulme. Më datë 2 gusht pritet një takim mes kreu të CIA-s, Leon Panneta dhe kreu të shërbimeve inteligjente të Pakistanit, Zahirul Islam.
CNN citon burime nga inteligjenca pakistaneze, se Islam ka një propozim konkret për Shtetet e Bashkuara. “Amerikanët të identifikojnë dhe përcaktojnë objektivin dhe sulmi të ndërmerret nga forcat e sigurisë pakistaneze”, citon zyrtarin e lartë pakistanez CNN.
Një propozim i tillë vështirë të pranohet nga Uashingtoni pasi kjo do të përkthehej me shpërndarjen e teknologjisë së fundit të droneve në një vend tjetër, që megjithëse mbetet aleat, sërish nuk është në duar të sigurta.
Në fillim të këtij viti, e vendosur nën akuza e presion nga opinioni i brendshëm amerikan dhe ndërkombëtarë, administrata Obama mbrojti sulmet me dronë duke i cilësuar ato si tërësisht brenda ligjeve ndërkombëtare.
Këshilltari për luftën kundër terrorizmit i Shtepisë së Bardhë, John Brennan tha se avionët pa pilotë, të pajisur në shumicën e rasteve me bomba djegëse, do të vazhdojnë të përdoren në misione në Jemen dhe Pakistan për të asgjesuar të gjithë elementët terroristë që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Top Channel