
Një nismë e lëshuar nga një shoqatë për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve do t’u lejojë tifozëve të pakënaqur të Milanit që të rimbursohen për abonimet e blera, nëse do të dëshirojnë që t’i kthejnë pas ato.
Milani nisi përgatitjet për sezonin e ri duke premtuar që do të mbante futbollistët e tij më të mirë, përfshi Ibrahimovic dhe Thiago Silva dhe kjo ndihmoi që nga qershori, deri në mesin e korrikut, mbi 20 mijë abonime për sezonin e ardhshëm të shiteshin.
Megjithatë, ndërsa dy yjet e klubit u shitën, pasi nga skuadra u larguan edhe idhujt e tjerë të tifozerisë, si Seedorf, Inzaghi, Gattuso e Nesta, shumë tifozë kuqezinj po i dorëzohen idesë së një sezoni mediokër të skuadrës së tyre të zemrës.
Në këto kushte, shoqëria e konsumatorëve “Codacons” i dërgoi një kërcënim penal klubit, duke argumentuar se nëse nuk do t’u lejohej tifozëve që të hiqnin dorë nga abonimet e paguara, Milani mund të përballej me një proces ligjor.
Përballë këtij kërcënimi, numri dy i klubit, Adriano Galliani vendosi të heqë dorë dhe të deklarojë të martën se kushdo mund të kthejë abonimet e tij nëse është i zhgënjyer nga fushata e blerjeve e klubit.
Megjithatë, shoqata nuk ka ndërmend të mjaftohet me kaq dhe po shtyn Milanin që të pranojë ulje të çmimit të abonimeve për sezonin e ardhshëm si dhe hyrjen gratis për ndeshjet e Champions League dhe Kupës së Italisë, si një formë kompensimi për tifozët e zhgënjyer.
Top Channel