Korrupsioni, jo faji i imunitetit

24/07/2012 00:00

Ndryshimet kushtetuese që lidhen me imunitetet ishte kryefjala e kreut
të opozitës Edi Rama gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar
socialist, nga ku tha se nuk është mjaftueshme të heqësh imunitetin,
nëse këto ndryshime kushtetuese nuk përfshinë edhe ato për drejtësinë.

Nevojën e një reforme në sistemin e drejtësisë Edi Rama e ilustroi me disa procese gjyqësore, ku pasi disa ministra u zhveshën nga imuniteti, nuk u dënuan për aferat korruptive.

“Saliu gati sa nuk thotë se nuk ka asgjë në dorë kundër korrupsionit, sepse i shkreti është vetëm një copë kryeministër dhe po nuk deshi opozita ai nuk ka ç’i bën fare murit të korrupsionit. Loja e fajësimit të opozitës në fakt është e vetmja rrugë e mbetur për Kryeministrin. Çdo ditë, me çdo kusht dhe me çdo mjet duhet fajësuar opozita. Të gjithë shqiptarët e dinë se si kanë përfunduar në komedi gjyqet për ministrat e zhveshur nga imuniteti. Imuniteti është hequr pa asnjë pengesë, por askush nuk është ndëshkuar”, tha Rama.

Rama deklaroi se Berisha po kerkon te fajesoje opoziten per paaftesine dhe mungesen e deshires per te luftuar korrupsionin, i cili sipas tij eshte i shtrire ne çdo fushe. Per kete arsye, ai premtoi një rishikim të privatimeve dhe koncensioneve, qe jane bere ne sherbim te klanit ekonomik, qe sipas tij rrethon Kryeministrin Berisha.

“Nuk ka asnjë metaforë dhe asnjë ekzagjërim, por në shtatë vjet këta që sot keqqeverisin Shqipërinë kanë vjedhur, sa nuk është vjedhur nga gjithë qeveritë e Shqipërisë në 100 vjet shtet shqiptar. Fushat e naftës fatmirësisht aty janë, minierat aty janë, pronat e ushtrisë aty janë, pronat publike dhe private në bregdet aty janë, aty janë edhe tërë asetet e tjera të pasurisë publike që kanë shkuar për koncensione apo për transaksione. Aty do të jetë edhe Lotaria Kombëtare nëse do të guxojnë ta privatizojnë me termat që kanë shpallur dhe ne do të bëjmë transparence të plotë që arkës së shtetit t’i kthehen paratë e munguara nga gjithë këto grabitje barbare”, tha Rama.

Kryetari i PS-se tha se nuk ka asnjë opozitë, që ka bërë më shumë për statusin kandidat, se kjo opozitë. Rama theksoi se nuk është problemi vetëm tek miratimi i ligjeve, siç pretendon Berisha, por kryesisht tek implementimi i tyre.

Kryetari i PS-se në njëfarë mënyre pranoi se reformën zgjedhore e kanë miratuar me shpejtësi për të hapur mundësitë që vendi të marrë statusin e kandidatit për në BE, kur deklaroi se “rrezikuam edhe marrëdhëniet me aleatët tanë politikë për një reformë që nuk preku çështjen e sistemit. Ne e bëmë këtë duke thënë se është një domosdoshmëri për marrjen e statusit në vjeshtë”.

Top Channel