Kolorado, vrasësi i refuzuar nga 3 femra

24/07/2012 17:55

James Holmes, autori i masakrës në kinemanë e Aurorës, ishte refuzuar nga tre femra në një faqe interneti për të rritur, pak kohë para se të kryente masakrën.

Sipas mediave ndërkombëtare, më 5 korrik i riu 24-vjeçar ishte regjistruar në AdultFriendFinder.com, që konsiderohet si faqja kryesore për takime seksuale në botë.

E përditshmja “Daily Mail” bën të ditur se disa zyrtarë federalë kanë konfirmuar se profili i zbuluar në këtë web site është pikërisht ai i vrasësit të Kolorados.

Ndërkohë, shtëpia kinematografike “Warner Bros” ka vendosur të zbresë në fushë për viktimat e masakrës së 20 korrikut në Denver.

Kompania që ka prodhuar pikërisht filmin “Batman” ka vendosur të dhurojë fonde për të ndihmuar familjarët e 12 personave të vrarë nga  James Holmes.

Shuma, sipas “Hollywood Reporter”, nuk është publikuar ende, por nga shtëpia kinematografike, që është në kontakt me guvernatorin e Kolorados, John Hickenlooper, njoftojnë se bëhet fjalë për një shumë “të rëndësishme”.

I akuzuari si autor i masakrës në premierën e serisë së fundit të “Batman” u paraqit një ditë më parë para gjykatës në Kolorado për t’u njohur me akuzat e prokurorëve.

Më herët u zbulua se sulmi i studentit ishte pika kulmore e një planifikimi të kujdesshëm 2-mujor, i cili përfshinte edhe një kurth vdekjeprurës për hetuesit kur të mbërrinin në shtëpinë e të dyshuarit, në të cilën u çaktivizuan plot 60 bomba gati për të shpërthyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA