Ndryshimet kushtetuese nuk janë temë dite vetëm në Shqipëri. Matanë Adriatikut, Senati italian i dha dritën jeshile ndryshimeve që mundësojnë kalimin në një republikës gjysmë-presidenciale.
Ndryshimet e propozuara nga partia e Berlusconi-t, PDL dhe aleatët e saj të Ligës së Veriut u kaluan në Senat megjithë kundërshtimin e fortë të së majtës italiane. Ndryshimet parashikojnë zgjedhjen e presidentit të Republikës drejtpërdrejt me votë popullore.
Megjithatë ky ishte hapi i parë drejt hyrjes në fuqi të propozimit. Pas miratimit të Senatit, projekt/ndryshimet në Kushtetutën italiane duhet të marrin edhe miratimin në Dhomën e Ulët. Partia e Berlusconi-t kërkon miratimin e këtyre ndryshimeve në mënyrë që vitin e ardhshëm presidenti italian të zgjidhet me votë popullore. Në bazë të këtyre ndryshimeve, presidenti zgjidhet me votë popullore për një mandate 5-vjeçar dhe jo më shumë se dy herë.
Për të ndryshuar Kushtetutën, PDL-së së Berlusconi-t i nevojiten 2/3 e votave në Dhomën e Ulët, vota të cilat aktualisht, bashkë me aleatët nuk i ka. Por ekziston mundësia që nëse kalon me shumicë të thjeshtë, propozimi për kalimin në një republikë gjysmë-presidenciale (ngjashmëri me Francën, por më pak pushtet për presidentin) mund t’i nënshtrohet referendumit popullor.
Top Channel