Tenisti numër një në botë, Roger Federer, refuzoi mbajtjen e flamurit zviceran në prezantimin e Lojrave Olimpike, duke ia deleguar këtë nder shokut të tij ne ekipin e tenisit, Stanislaw Wawrinkës.
Ndonëse Roger i ishte ofruar mbajtja e flamurit për të tretën herë radhazi, tenisti ka zgjedhur që të mos e pranojë, duke e gjykuar si të tepruar që të përfaqësonte vendin si sportisti më i mirë edhe një herë më shumë.
“Më ofruan mundësinë që të mbaja përsëri flamurin në ceremoninë hapëse, por pas Athinës dhe Pekinit, mendova që ishte më e drejtë që t’ia delegoja këtë mundësi dikujt tjetër. Për mua ka qenë një nder i veçantë parakalimi me flamurin zviceran. Mbaj mend se fitorja në Pekin u bë e mundur nga shpirti i grupit të skuadrës zvicerane dhe shpresoj që këtë herë, të shohim një grup edhe më të bashkuar se më parë”, deklaroi Federer.
Ndonëse tenisi nuk është një sport klasik i Lojrave Olimpike, do të jenë shumë të tillë ata që do të parakalojnë me flamurin, një nder që zakonisht i rezervohet sportistëve më të mirë të çdo vendi.
Maria Sharapova do të jetë flamurmbajtësja ruse, ashtu si Agnieszka Radwanska, për Poloninë, Novak Djokovic për Serbinë. Së bashku me ta, edhe pesë tenistë të tjerë përfaqësojnë vendet e tyre, por në listë mungon spanjolli Rafael Nadal, i cili ishte caktuar për të mbajtur flamurin, por u tërhoq në prag të Lojrave Olimpike për shkak të një dëmtimi.
Përsa i përket Shqipërisë, flamuri ynë do të mbahet nga peshëngritësja Romela Begaj, e cila konsiderohet edhe si shpresa më e mirë e skuadrës shqiptare për të marrë medaljen e parë shqiptare në historinë e Lojrave Olimpike.
Top Channel