Kriza në Eurozonë ka bërë që ndikimi i ekonomisë europiane mbi atë amerikane të jetë në zvogëlim të vazhdueshëm, duke arritur kuotat më të ulta në shumë vjet.
Në një shkrim të “Financial Times”, në të cilin merreshin në analizë asetet amerikane të mbajtura nga bankat e BE-së, shihej se vlera e tyre është pjestuar me tre në pesë vitet e fundit.
Si rrjedhojë e falimentimeve, vështirësive financiare dhe shitjes së kredive në banka të tjera për të prodhuar likuiditete për përballimin e krizës, asetet amerikane në Europë tashmë kapin vlerën e 540 miliardë dollarëve, nga 1,51 trilion dollarë, në kulmin historik të shtatorit 2007.
Edhe vetë qeveritë kombëtare kanë kontribuar në krijimin e kësaj situate, duke vendosur pengesa për lëvizjen e lirë të kapitaleve jashtë Europës, në një periudhë të tillë vështirësie në kontinent.
Numri i aseteve amerikane në dorë të bankave europiane ka arritur aktualisht vlerën më të ulët që prej vitit 2005.
”Është shumë domethënëse ajo që po ndodh”, deklaroi Doug Landy, një ekspert financiar i “Allen & Overy”. “Duket sikur po ndodh rikthimi në një situatë të ngjashme me 10-20 vjet më parë, kur ndërlidhja me bankat europiane ishte shumë më modeste, ndërsa investimet dhe bilancet e tyre shumë më strikte”.
Top Channel