Irani informoi se ka arrestuar disa të dyshuar në lidhje me vrasjen e korrikut 2011 të një shkencëtari bërthamor, raportoi agjensia “Mehr”, duke cituar ministrin e Inteligjencës, Heidar Moslehi.
Moslehi bëri këtë deklaratë me rastin e 1-vjetorit të vrasjes në një atentat të fizikantit 35-vjeçar Daryoush Rezaie.
“Përveç terroristëve që qëlluan dhe vranë Rezaien jashtë shtëpisë së tij në Teheran në 23 korrik 2011, edhe dy grupe terroristësh të tjerë janë prangosur jashtë dhe brenda vendit”, deklaroi Moslehi, pa dhënë asnjë detaj të mëtejshëm.
Rezaie jepte mësim në një universitet shkencor në kryeqytet dhe ishte ngushtësisht i lidhur me projektin Iranian të energjisë bërthamore.
Pas vrasjes së tij, Teherani zyrtar akuzoi Shërbimet Sekrete Amerikane (CIA) dhe ato Izraelite (Mossad) si përgjegjëse të këtyre sulmeve terroriste, që kishin si synim dekurajimin e ekspertëve bërthamorë.
Vdekja e fizikiantit parapriu edhe dy atentate të tjera, ndaj profesorit të fizikës bërthamore, Majid Shahriari, i vrarë në një sulm me bombë në makinën e tij dhe ndaj profesorit Fereydoun Abbasi e gruas së tij, të cilët shpëtuan me plagë të lehta pasi një breshëri plumbash u lëshua ndaj mjetit të tyre.
Top Channel