Misioni “Eagle 4” u kthye në Shqipëri pas përfundimit të periudhës gjashtë mujore në Afganistan. Kreu i këtij mision nënkolonel Behar Mara mbajti të njëjtin qendrim zyrtar në lidhje me incidentin në fshatin Rabat të Kandaharit, ku humbi jetën kapiten Feti Vogli, ndërsa tregoi përpara kamerave se ishte një ndër misionet më të vështira të shqiptarëve në Afganistan.
“Një zonë tepër e vështërë, problematike për mbjelljen e kanabis, problematike për trafikun e armëve, lëndëve eksplozive. Për gjashtë muaj kontigjenti ynë ka kryer detyra operacionale tepër të vështira. Detyra për kapjen dhe asgjesimin e elementëve terroristë. Detyra të vështira me infiltrim nga ajri në zonat ku nuk ishte e mundur mbërritja me rrugë tokësore dhe goditja e elementëve terroristë”, deklaroi nënkolonel Behar Mara.
Ndërkohe që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, general/major Xhemal Gjunkshi vlerësoi trupat shqiptare të misionit.
“Në këtë mision në humbëm jetën e kapiten feti voglit, morëm plagët e nëntetarit Aleksandër Peci, provuam një dhimbje të paprovuar më parë, por treguam se dimë të reagojmë me profesionalizëm dhe dinjitet për të përballuar situatat më të vështira si dhe fituam një dëshmor më shumë në altarin e shenjtë të atdheut! Fituam dashurinë, respektin, mirënjohjen e madhe të popullit tonë dhe aleatëve tanë”, tha në fjalën e rastit, shefi i shtabit, Xhemal Gjunkshi.
Misioni i katërt i forcave shqiptare në frontin e luftës në Afganistan u përball në shkurt të këtij viti me humbjen e kapiten Feti Voglit si edhe plagosjen e tetarit Aleksander Peci.
Top Channel