
Në vendin tonë, gati dy persona në ditë preken nga tuberkulozi. Në 100
mijë banorë preken nga kjo sëmundje infektive 15 pacientë të rinj.
Sëmundja prek kryesisht të varfrit.
Në vitin 2006, nga shifrat e mbledhura në spitale janë diagnostikuar 500 raste të reja. Këto shifra, këtë vit u konsideruan si jonormale, pasi duke krahasuar popullsinë tonë dhe atë europiane, rastet e reja të shfaqura me tuberkuloz kanë qenë shifra të konsideruara të larta. Ndërkohë që nga viti në vit, deri në 2011-n, këto shifra konsiderohen se kanë ardhur drejt uljes. Sëmundja e tuberkulozit shfaqet në vendet ku ka kushte higjienike të ulëta, prek atë kontingjent njerëzish që jetojnë në shtëpi me lagështi dhe në përgjithësi zonat e varfra, ku pacientët neglizhojnë të paraqiten në spital dhe në gjendje të përkeqësuar. Sipas spitalit të sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, pacientët, të cilët i janë drejtuar për ndihmë sanatoriumit janë kryesisht banorët e zonave verilindore. Rreth 70 për qind e rasteve të paraqitura janë nga qyteti i Dibrës, i Shkodrës dhe Kukësit. Por të prekurit nga tuberkulozi nuk janë vetëm në këto qytete. Sipas mjekëve, në trevjeçarin e fundit, sëmundja e tuberkulozit është shfaqur edhe në zona ku më parë nuk janë evidentuar raste të prekura.
Ka pacientë të tjerë që shtrohen në spital si pasojë e kequshqyerjes apo e mungesës së ushqimit me proteina e vitamina.
Nga ana tjetër, risku i përhapjes së sëmundjes së tuberkulozit është shumë i madh, pasi një i sëmurë mund të infektojë 10 deri në 12 persona të tjerë.
Në Shqipëri regjistrohen 14 raste të reja për 100 mijë banorë, rreth 450 raste të reja në vit. Në dekadën e fundit prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje të qëndrueshme dhe pothuajse është pakësuar përgjysmë, nga 27 raste të reja për 100 mijë banorë, 790 raste në 1999-n, në 14 raste të reja për 100 mijë banorë, afërsisht 450 raste të reja në vit në 2010-n.
Shenjat e para të shfaqjes së tuberkulozit janë dobësi e përgjithshme, djersitje e lehtë e të sëmurit dhe temperaturë deri në 37 gradë. Edhe pse simptomat duken të njëjta si një grip i zakonshëm apo një sëmundje virale normale, i sëmuri duhet të kontrollohet te mjeku specialist, në mënyrë që të parandalojë dhe të kurojë sëmundjen që në fillesat e saj.
Rezistenca e shumëfishtë ndaj medikamenteve antituberkulare, që përbën një kërcënim serioz, pasi medikamentet mund të mos jenë të efektshme, është e ulët (nën 1%). Mjekimi është i suksesshëm në mbi 87% të rasteve të reja me tuberkuloz.
Politikat ekonomike për eliminimin e varfërisë ekstreme kanë impakt të drejtpërdrejtë me sëmundjen. Tuberkulozi prek në radhë të parë shtresat e varfra të popullatës.
Megjithëse tuberkulozi është sëmundje infektive, ajo ka karakter të theksuar social dhe lidhet ngushtë me varfërinë. Ajo ka prekur dhe vazhdon të prekë shtresat më të pambrojtura dhe lulëzon në vendet më të varfra të botës, si në Afrikë, Azi, por edhe në Europën Lindore.
Sëmundja – Sipas spitalit “Shefqet Ndroqi”, në Shqipëri regjistrohen 14 raste të reja për 100 mijë banorë, rreth 450 raste të reja në vit
Infeksioni – Tuberkulozi mbetet një sëmundje infektive, që nëse neglizhohet përkeqësohet brenda një kohe të shkurtër. Vdekshmëria është nën 0.5%
Top Channel