Presidenca stoliset me tapete të kuq

21/07/2012 00:00

Selia e Presidencës së Republikës është stolisur nga dita e premte me
tapete të kuq dhe është instaluar tribuna VIP e vendosur përballë
shkallëve qendrore të institucionit.

Drejtues të Gardës së Republikës dhe stafi i Protokollit të Shtetit kanë nisur dje provat për ceremoninë e 24 korrikut ku do të marrë detyrën Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani. Toga e nderit, që do të kryejë të martën e ardhshme ceremoninë e inaugurimit të kreut të shtetit, për tri orë ka zhvilluar marshimin ceremonial, në mënyrë që më datën 24, gjithçka të jetë perfekte. Ndërkaq, po dje është mbyllur dhe drafti i axhendës, e cila është bërë me dy kopje, një në shqip dhe një në anglisht që i është shpërndarë trupit diplomatik. Pika që nuk ishte mbyllur, u vendos dje dhe është caktuar që kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, do t’i dorëzojë Kushtetutën, Presidentit Bujar Nishani. Gjithçka do të nisë në orën 18:30 në sallën e seancave plenare të Parlamentit, ku Presidenti Nishani do të bëjë ceremoninë e betimit, përpara deputetëve, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, do të lexojë formulën e betimit. Pas betimit në Kuvend, kreu i ri i shtetit do të niset drejt selisë së Presidentit, ku do të hyjë me eskortë jo nga dera qendrore, por nga krahu i zyrave. Nga ora 19:00 deri më 19:25 në selinë e Presidencës mbërrijnë trupi diplomatik dhe të ftuarit. Tribuna A rezervohet për titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa Tribuna B dhe ajo qendrore C për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë e ftuar. Ndërkaq, për 15 minuta, Presidenti aktual, Bamir Topi, dhe Presidenti i ri, Bujar Nishani, do të qëndrojnë në zyrën e kreut të shtetit, në një takim ceremonial të dorëzimit të detyrës. Më pas, në orën 19:29 nis ceremonia zyrtare, ku dy presidentët dalin përpara derës qendrore. Pesë minuta më pas, ekzekutohet Himni Kombëtar dhe flamuri qendror i ngritur. Pas himnit, Ministria e Mbrojtjes do të simulojë 21 të shtëna topi, me interval kohor, 30 sekonda nga njëra-tjetra. Truproja e nderit do të parakalojë para Presidentit Bujar Nishani. Pas dorëzimit të Kushtetutës nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Presidenti Nishani, do të mbajë fjalën e inaugurimit, e cila zgjat më pak se 10 minuta. Më pas zhvillohet ceremonia e largimit të Presidentit Bamir Topi, i cili do të shoqërohet me katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndet me dorë të gjithë të ftuarit e Tribunës A, kryesisht të trupit diplomatik. Më pas kreu i shtetit, Bujar Nishani, bashkë me Zonjën e Parë, djalin dhe vajzën do të bëjnë foton ceremoniale, për të kaluar më pas në pritjen e posaçme në sallën ‘Skënderbeu’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB