Spanjë, plumba gome ndaj protestuesve

20/07/2012 00:00

Policia spanjolle ka qëlluar plumba gome për të shpërndarë manifestuesit në Madrid, në ditën e një proteste mbarëkombëtare kundër shkurtimit të shpenzimeve.

Protestuesit u vendosën zjarrin kazanëve të mbeturinave teksa u afrohej policia në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së Parlamentit. Shtatë persona u arrestuan dhe gjashtë të tjerë u plagosën, njoftuan autoritetet lokale.

Më herët, dhjetëra mijëra persona mbajtën në mënyrë paqësore protesta në të gjithë Spanjën kundër masave anti-krizë të prezantuara së fundmi nga qeveria.

Punonjësit e sektorit publik u mblodhën në rrugët e Madridit, Barcelonës dhe qyteteve të tjera, duke mbajtur parulla kundër asaj që e quajtën “vjedhja e qeverisë”.

Mes tyre në protestë ishin zjarrëfikës dhe oficerë të policisë, si dhe punonjës të sektorit arsimor e shëndetësor. “Ne kemi jetuar në kohë të vështira, por kjo është njësoj si të të marrin bukën nga dora”, tha zjarrfikësi Francisco Vaquero për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Shkurtimi prej 65 miliardë eurosh për sektorin publik dhe rritja e taksave u njoftua javën e kaluar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy.

Ai tha se këto masa ishin pjesë e një marrëveshjeje me liderët e eurozonës për të ndihmuar bankat spanjolle që ndodhen në vështirësi. Ndërkohë, Parlamenti i ratifikoi këto masa ditën e enjte.

Më herët gjatë muajit policia spanjolle përdori plumba gome edhe gjatë një proteste të bërë nga minatorët dhe sindikatat kundër mbylljes së minierave të qymyrit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA