Prokurorët: Hiqni imunitetet

20/07/2012 00:00

Edhe prokuroria këmbëngul që për deputetët dhe gjyqtarët të ketë kufizim me ligj të imunitetit gjatë kryerjes së veprimeve hetimore e tillë që grupi i hetimor të mos ketë pengesë për të mbledhur provat dhe për të kryer veprimet e domosdoshme hetimore.

Gjatë një intervistë për Top Channel kreu i Shoqatës së Prokurorëve e njëkohësisht kryeprokuror i Apelit, Shkëlqim Hajdari deklaroi se autorizimi për imunitetin të kërkohet vetëm në rastin e komunikimit të akuzës apo të arrestimit.

“Për zyrtarët e lartë, pra deputetët dhe gjyqtarët organi i hetimit të ketë të drejtë të hetojë dhe të kryejë veprime hetimore përsa i përket grumbullimit të provave. Ndërsa sa i përket momentit të ngritjes së akuzës, apo nëse një zyrtar do të ndiqet me masën arrest me burg, arresti me burg dhe njoftimi i akuzës të mos i lihet në dorë prokurorëve dhe gjyqtarëve por për deputetët parlamentit dhe për gjyqtarët Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, deklaron zoti Hajdari.

Ndryshe nga Unioni i Gjyqtarëve që mbron versionin e kufizimit të imunitetit  për gjyqtarët vetëm për rastet e dyshuara të korrupsionit, kreu i Shoqatës së Prokurorëve ka qendrimin që kufizimi të jetë për të gjitha veprat penale.

“Një nga variantet më të mira është që nga njëra anë të sigurohet organi i hetimit, prokuroria që të kryejë hetime jo vetëm për vepra penale konkrete të fushës së korrupsionit por për cdo vepër penale, deri në momentin kur prokuroria duhet të ngrejë një akuzë ose duhet të ndjekë një zyrtar të lartë me arrest. Pra arrestimin e një deputeti apo gjyqtari dhe njoftimin e akuzës duhet t’i lihet parlamentit dhe KLD-së”, shprehet kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari.

Qendrimi i Shoqatës së Prokurorëve është në të njëjtën frekuencë me deklaratën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB