Hetimet kundër Korrupsionit

20/07/2012 00:00

Pa u tharë boja e firmës së marrëveshjes mes drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, njësitë e përbashkëta të hetimit në të gjithë vendin u mblodhën për të përcaktuar strategjinë e hetimeve të mëtejshme për të gjitha rastet e kallëzuara nga KLSH.

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama nuk harroi të kujtojë trefishimin e kallëzimeve të depozituara për këto gjashtë muaj nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për të cilat tha Prokurorja e Përgjithshme kanë nisur hetimet.

Risia e deklaruar nga Ina Rama ishte hetimi i pastrimit të parave i bashkëlidhur me shpërdorimin e detyrës apo korrupsionin, një porosi kjo që në fakt është e njëjtë me atë të misionit Euralius pak ditë më parë.

“Të rrisim në mendjen tonë në mënyrë që të hetojmë përtej asaj që lidhet me shpërdorimin e detyrës apo vetëm me korrupsionin, por që lidhen edhe me pastrimin e parave. Janë vepra që përgjithësisht prodhojnë përfitime materiale që sigurisht duhet të vishen në mënyrë të ligjshme për t’u gëzuar nga autorët e këtyre veprave. Dhe gjithë ky proces, tentativat për të bërë të ligjshme këtë pasuri të fituar në mënyrë kriminale, për këtë pastrimi i parave është vepër penale në Kodin toni, një vepër dhe aktivitet që duhet të konsiderohet si prioritet”, u shpreh kryeprokurorja Ina Rama.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj theksoi nevojën e hetimeve brenda një kohe të shkurtër e mundësisht jo me zgjatje afatesh.

“Hapi i parë pas vlerësimit nga ana juaj të cilësisë së kallëzimit tonë, të jetë pezullimin nga ushtrimet publike i nënpunësit të denoncuar prej nesh. E theksoj këtë se na ka ndodhur rëndom që nënpunës apo drejtues të kallëzuar prej nesh, për faktin që ju zhvilloni një proces të drejtë, transparent dhe të paanëshëm, pas disa kohësh me papërgjegjshmërinë e drejtuesve kalonë në detyra të tjera publike”, tha kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB