Thiago Silva kërkon falje, Milan synon Matrin

19/07/2012 16:35

Në prezantimin e tij si futbollisti i ri i Paris SG, 27-vjeçari Thiago Silva pranoi hapur keqardhjen e tij për largimin nga Milani, një klub që theksoi se “do t’i mbetet thellë në zemër përjetë”.

“Kjo është konferenca ime e parë për shtyp që prej transferimit në Paris dhe jam entuziast për këtë aventurë të re, por njëkohësisht edhe shumë i trishtë për lamturmirën time tek Milani. Atje kam përjetuar emocione shumë të forta. Milani është një klub shumë i dedikuar pas futbollistëve dhe unë i detyrohem për gjithçka kam arritur”, deklaroi një Thiago dukshëm i prekur.

“Transferimi im në Paris nuk ishte një dëshirë e imja, por një vendim i marrë nga të tjerë. Ata që më kanë kritikuar si mercenar duhet të kenë parasysh që unë sapo kisha rinovuar kontratën dhe as që kisha dëshirë të largohesha. Dua të sqaroj që nuk ishte as dëshira ime dhe as e familjarëve të mi, ndonëse u kërkoj falje tifozëve milanistë, që janë lënduar nga largimi im. Tashmë, shpresoj të fitoj sa më shumë tituj në “Parc des Princess”.

Merkato Milan –
Ndërkohë, me 65 milionë euro në arkat e tij dhe 170 milionë të kursyer nga pagat e Ibras dhe Silvës, Milani është duke punuar aktivisht në merkato për përforcime, ndonëse nuk do të ketë shuma të çmendura dhe sërisht merkato me kosto të ulët.

Blerja e parë, nëse mund të quhet kështu, është ajo e Robinhos, qëndrimi i të cilit në “Milanello” është konfirmuar prej klubit. Goditja e dytë, përballë kostos së lartë që kërkon afrimi i Tevez apo Dzeko, është përqendruar brenda vendit dhe mund të jetë sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri, ai që do të përforcojë radhët.

Janë tre arsyet që e përforcojnë mundësinë e kalimit të Matrit në kuqezi. E para, ai i pëlqen Allegrit, me të cilin ka bashkëpunuar më parë, ka një pagë të ulët prej dy milionë eurosh dhe Juventusi është i gatshëm ta shesë, pasi nuk përfshihet më në planet e kampionëve të Italisë.

Ndërkohë, vazhdohet të punohet për të siguruar njërin midis Tevez e Dzeko, por vetëm nëse Manchester City do të ulë pretendimet e tij. Braziliani Damiao, për shkak të kartonit të shtrenjtë, për momentin duket vetëm një ëndërr, ndërsa portugezi Rolando, vazhdon të mbetet i parapëlqyeri për një vend në qendërmbrojtje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA