Londër, 5 vetë nën akuzë për terrorizëm

19/07/2012 00:00

Pesë persona nga Londra janë akuzuar për terrorizëm. Sipas BBC, tre vetë
janë akuzuar për përgatitje të akteve terroriste, ndërsa një tjetër
bashkë me një grua janë akuzuar se zotëronin dokumente në favor të të
dyshuarve.

Personat e akuzuar janë të moshave që variojnë nga 21 deri në 47 vjeç dhe vijnë nga zona të ndryshme të kryeqytetit britanik. Të pestë ata do të paraqiten në gjykatë gjatë së enjtes.

Katër nga personat në fjalë u arrestuan më herët gjatë muajit, në një operacion të policisë metropolitane, ndërsa personi i pestë u ndalua vetëm të mërkurën.

Tre nga të akuzuarit vlerësohet se mes 25 korrikut 2010 dhe 6 korrikut 2012 kanë pasur ndërmend të kryenin akte terroriste, ose të mbikëqyrnin akte të tilla të kryer nga të tjerë.

Ata dyshohet gjithashtu se kanë udhëtuar në Pakistan dhe vende të tjera për t’u stërvitur për terrorizëm dhe se u kanë dhënë informacione personave të tjerë se ku mund të bënin stërvitje të tilla.

Top Channel