Inter zyrtarizon Mudingayin, Del Piero drejt SHBA

19/07/2012 17:00

Interi zyrtarizoi ditën e enjte mbërritjen e mesfushorit Gaby Mudingayi, kongolezit që aktivizohej në radhët e Bolonjës që prej vitit 2008.

Një ish-futbollist i Lazio dhe Torinos, 30-vjeçari dallohet për forcën e tij fizike dhe vlerësohet si një mesfushor i aftë shkatërrues, në gjendje që të luajë në një repart shpesh problematik për Interin, përkrah futbollistëve si Guarin, Sneijder apo Cambiasso.

Mudingayi mbërrin në skuadrën zikaltër në formën e një borxhi me të drejtë blerje, me Interin që do të paguajë 750 mijë euro në sezonin e parë dhe një shifër të njëjtë, nëse në fund do të dëshirojë ta mbajë më gjatë.

Ndërkohë, e ardhmja e dy veteranëve Del Piero dhe Inzaghi duket gjithmonë e më shumë e destinuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish-kapiteni i Juventusit ka një ofertë nga  kampionët e Los Angelos Galaxy, ku do të shndërrohej në shok skuadre me Beckham, ndërsa “Superpippo” ka edhe ai oferta nga SHBA, por edhe nga ekipe europiane, si Granada në kampionatin spanjoll.

Megjithatë, mbi tavolinën e 37-vjeçarit qëndron edhe një ofertë e Milanit, që i ka propozuar të marrë si trajner drejtimin e të rinjve, propozim që duket se sulmuesi nuk e ka marrë shumë seriozisht, pasi dëshiron që të vazhdojë ende të luajë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA