“Tallja” që iu bë tifozëve milanistë

18/07/2012 00:00

Ditët e fundit të sezonit që sapo u mbyll, të gjithë tifozët milanistë ishin të sigurtë që dy benjaminët e tyre, Thiago Silva dhe Zlatan Ibrahimovic nuk do të ndërronin fanelë në sezonin që pritet të nisë.

Por tifozët “u zhgënjyen” pikërisht nga ata që “u premtuan” në deklaratat për mediat pak javë më parë, se Ibra dhe Thiago Silva do të mbeten milanistë.

Më 14 maj, një ditë pas mbylljes së kampionatit, Adriano Galliani tregoi për mediat italiane se kishte patur të ftuar në shtëpinë e tij Zlatan Ibrahmovic. “Isha me të, folëm gjatë dhe u siguroj që 100 përqind do të qendrojë tek ne. Ramë dakort mbi gjithcka”.

Katër ditë më vonë, më 18 maj, sërish Galliani, këtë herë gjatë ceremonisë së organizuar nga UEFA me rastin e finales së Ligës së Kampioneve mes Bajernit dhe Çelsit. “Ibra do ta fitojë një Champions, dhe me siguri këtë do ta bëjë me Milanin”.

26 maj, Gazzetta Dello Sport publikon një intervistë ekskluzive me trajnerin e Milanit, Massimiliano Allegri me titullin; “Berluskoni më premtoi, Ibra dhe Thiago s’lëvizin nga Milani” dhe në brendi të artikullit mund të lexoje fjalët e trajnerit kuqezi: “Nga ky moment e deri në fund të gushtit mund të ndodhë gjithcka në këtë merkato, por s’mund të ndodhë që Thiago Silva dhe Ibra të largohen nga Milani. Jam kaq i sigurtë që do të qendrojnë sepse kam folur me Berlusconin. Ai më siguroi që do të qendrojnë dhe MIlani i së ardhmes do të bazohet pikërisht tek ta”.

2 qershor. Galliani, gjatë një udhëtimi me kroçer nëpër Mesdhe deklaron: “Thiago? Ancelotti vazhdon ta kërkojë, por duhet të dimë t’u rezistojmë këtyre ofertave. Nëse do të bëhej fjalë vetëm për para do të ishte e thjeshtë, por ne kemi një president që e do Milanin dhe kërkon t’i mbajë të gjithë lojtarët big…dhe tani që Sedorff nuk do të luajë më me Milanin, Ibra do të marrë fanelën numër 10”.

Një ditë më pas, sërish në kroçer, ku ndodhet një pjesë e mirë e futbollistëve milanistë dhe trajneri Allegri. Ky i fundit deklaron: “Thiago do të qendrojë me ne me 99.99 përqind siguri. Nëse Milani humbet Thiago-n do të ishte shumë e rëndë”.

5 qershor. Galliani dhe milanistët e tjerë në kroçer zbresin në Tuniz. Administratori i deleguar i Milanit përgënjeshtron zërat për largimin e Thiago Silva-s dhe Ibras: “ Lajmi është fals. Nga Milani nuk largohet asnjë. Thiago Silva dhe Ibra me 99.99 përqind qendrojnë tek Milani”.

Por vetëm 7 ditë më vonë, pikërisht më 12 qershor “rezistenca” e Galliani-t ndaj parave të sheikëve të PSG-së nis të dobësohet. Administratori i deleguar i Milanit udhëton drejt Parisi dhe në zonën Champs-Elysees nis bisedimet e para për shitjen e dy lojtarëve “të pashitshëm”.

Një ditë më vonë,  më 13 qershor në Milan Channel shfaqet një grup tifozësh me pankarta: “President, të lutemi…mbaji…mos i shit”. Reagimi i Gallianit pas kthimit nga Parisi: “Zakonisht lutjet funksionojnë, presidenti kërkon të mbajë Thiago-n”.

14 qershor. Vetë Berlusconi, gjatë një takimi pune “fryhet” dhe deklaron për Milan Channel: “Ishte një zgjedhje sentimentale. Thiago do të qendrojë, po ashtu edhe Ibra”. Tifozët qetësohen.

15 qershor. Galliani konfirmon deklaratën e Berlusconi-t: “Fitoi zemra dhe jo arsyeja. Nuk do të shesim asnjë, do të qendrojë edhe Ibra”…dhe në faqen zyrtare të Milanit shfaqet një pankartë e madhe e tifozëve: “Faleminderit President!”.

17 qershor. Edhe Allegri falenderon Presidentin: “Kurrë nuk kam dyshuar tek fjalët e Presidentit. Gjithnjë kam besuar se Thiago Silva nuk do të ikte nga Milanit. Konfirmimi i Berluskonit është një dhuratë e madhe që më ka bërë mua dhe tifozëve për sezonin e ri”. Të gjithë të bindur; Ibra e Thiago Silva nuk largohen.

2 korrik. Në faqen zyrtare të Milanit njoftohet zgjatja e kontratës deri në vitin 2017 për Thiago Silva-n. Rroga nga 4 mln euro në 6 mln euro. Në të njëjtën faqe njoftohet gjithashtu se Ibra ka edhe 2 vjet kontratë dhe është i pashitshëm.

9 korrik. Milani grumbullohet dhe nis përgatitjet për sezonin e ri. Në grup janë edhe Ibra e Thiago Silva. Pikërisht këtu vjen deklarata e parë e Gallianit që jep sinjalet e largimit të tyre: “Ibra dhe Thiago Silva? Gjithcka mund të ndodhë”.

Për të mbërritur më 12 korrik, kur merr fund edhe loja e Berlusconi-t dhe Galliani-t me tifozët kuqezinj; Ibra dhe Thiago Silva do të largohen. Vetë Berlusconi e pohon këtë duke shpjeguar edhe arsyet, që tashmë janë monetare…aspak sentimentale: “Në dy vjet do të kursejmë 150 milion euro. Tifozët duhet të na kuptojnë. Ata që s’e bëjnë le të gjejnë një president tjetër që ka investuar më shumë se sa unë tek Milani”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta