Messi(a) i së ardhmes i futbollit

17/07/2012 16:00

Është vetëm 9 vjeç, ka një kontroll të jashtëzakonshëm të topit, driblime dehëse për cdo moshatar të tij, e për më tepër ka shënuar me lehtësinë më të madhe plot 7 gola në një ndeshje të vetme.

Këto kanë mjaftuar që mediat britanike ta quajnë djaloshin 9-vjeçar, Zak Gilsnan nga Irlanda si “Messi(a) i së ardhmes së futbollit”.

I ati i tij rrëfen për The Sun se djali është zbuluar fillimisht nga agjentët e Totenhem gjatë kohës kur jetonin në Australi.

“Vendosëm të transferoheshim në Irlandë, thotë babai Stephen, në mënyrë që Zak të stërvitej me Spurs-at. Por diku nga prilli na erdhi një telefonatë nga Barcelona. Një ish-lojtar katalanas kishte parë talentin e djalit tim dhe kishte sinjalizuar klubin për këtë. Telefonata na ftonte të merrnim pjesë në një konkurs në muajin maj për përzgjedhjen e talenteve. Merrnin pjesë rreth 400 fëmijë. Zak u radhit në 16-shen e më të mirëve dhe në ndeshjen testuese mundi të shënojë plot 7 gola”, thotë Stephen.

Pas kësaj, në shkollën e futbollit katalanas flitej gjithnjë e më shumë për talentin e 9-vjeçarit dhe për këtë i ofruan atij mundësinë për të realizuar ëndrrën duke ndjekur akademinë në Barcelonë.

Prindërit e Zak thonë se janë mjaft të lumtur për arritjen e djalit të tyre dhe shtuan se tashmë e gjithë familja do të transferohet në Barcelonë për të qendruar pranë 9-vjeçarit e për ta ndihmuar atë në rritjen si futbollist profesionist.

Ndërkohë në Irlandë kompanitë e basteve kanë nxituar ta kuotojnë atë duke vendosur koeficientin 150 për bastin që në moshën 21-vjeçare ai do të bëhet kapiteni i Irlandës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA