India ka nisur një hetim për hapjen zjarr ndaj një peshkarexhe nga një luftanije amerikane në Ngushticën e Hormuzit, pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministri i Jashtëm i Indisë, Sm Krishna, e konsideroi këtë incident si “të pafat”, ndërsa shtoi që janë kërkuar shpjegime dhe informacione të mëtejshme nga diplomatët amerikanë në Nju Delhi.
Pentagoni ka konfirmuar se “USNS Rappahannock” qëlloi dhe fundosi anijen, pasi ajo injoroi paralajmërimet dhe u afrua shumë afër.
Një peshkatar mbeti i vdekur dhe tre të tjerë u plagosën, si rrjedhojë e hapjes zjarr.
”Ambasada jonë në Abu Dhabi është duke punuar me autoritetet lokale për të realizuar një hetim të plotë mbi rrethanat që çuan në këtë incident fatkeq”, shkruhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Pavarësisht pretendimeve amerikane se peshkatarët u paralajmëruan në përputhje me rregullat e angazhimit ushtarak, një prej të mbijetuarve ka kundërshtuar këto thënie.
”Nuk morëm asnjë paralajmërim. Ne ishim duke përshpejtuar që të kalonim përpara luftanijes, kur ata qëlluan papritmas ndaj nesh. Secili prej nesh i di mirë të gjitha sinjalet detare, por asnjë i tillë nuk u dha”, tha Muthu Muniraj, 28 vjeçar, i plagosur në këmbë gjatë incidentit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë informuar se ato gjithashtu po realizojnë një hetim paraprak.
Top Channel