
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka deklaruar gjatë
vizitës së saj në Izrael se Shtetet e Bashkuara do të përdorin të gjitha
elementet e pushtetit të tyre për të parandaluar që Irani të zhvillojë
armën bërthamore.
Ajo tha se propozimet e bëra deri tani nga Irani mbi këtë çështje nuk hapin rrugë për një fillim të ri. Zonja Clinton tha gjithashtu se SHBA po punojnë për një rezolutë të re “me pasoja” për Sirinë.
Ajo shtoi se e kishte diskutuar këtë me liderët e Egjiptit dhe Izraelit dhe theksoi se plani i paqes i OKB-së duhet të merret në konsideratë.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin Shimon Peres dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, zonja Clinton tha se të gjithë do të preferonin një zgjidhje diplomatike për çështjen iraniane.
“Liderët iranianë kanë ende mundësi për të marrë vendimin e duhur. Zgjidhja i takon përfundimisht Teheranit”, nënvizoi shefja e diplomacisë amerikane.
Por ajo shtoi: “Ne do të përdorim të gjithë elementët e pushtetit amerikan për të shmangur që Irani të pajiset me armë bërthamore”.
Raundi i fundit i bisedimeve mes gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, i mbajtur në Moskë muajin e kaluar, përfundoi pa një rezultat konkret.
Top Channel