Tregjet e “uritura” europiane

16/07/2012 00:00

Harta e eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare është zgjeruar këtë
vit me disa tregje evropiane, si Gjermania, Çekia, Polonia, Hungaria,
madje edhe Anglia. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, një nga shkaqet
kryesore lidhet me kushtet atmosferike në këto vende.

“Ka patur edhe një situatë të favorshme edhe në tregjet ndërkombëtare. Dimri shumë i ashpër, sidomos në vendet e Europës Qendrore ka bërë që prodhimi në ato zona të vijë me 15 apo 20 ditë me vonesë, gjë që ka rritur kërkesën për prodhime të hershme. Me këtë rast prodhimet shqiptare kanë përfituar dhe kanë gjetur treg më të mirë, krahasuar me vitet e kaluara”, tha zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Shqipëria ka eksportuar drejt tregjeve evropiane pa harruar edhe ato të rajonit si Kosova, Maqedonia apo Serbia, mbi 30 mijë ton perime e fruta. Sipas Ministrisë së Bujqësisë rritja e eksporteve me 12 për qind krahasuar me një vit më parë ka zbutur raportin e importeve me eksportet.

“Ne kemi patur një raport para 5-6 viteve, që ishte 1 me 12 në favor të importeve. Sot ka një zbutje të ndjeshme, raporti është 1 me 7 dhe me tendencë zbutjeje të përvitshme”, tha Fasllia.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, rritja e kërkesës për produkte shqiptare në tregjet e huaja është tregues i cilësisë së këtyre prodhimeve, duke u justifikuar edhe kunder dyshimeve për trajtime me hormone. Peshën më të madhe të eksporteve e kanë perimet e hershme, veçanërisht domatja që vjen nga serat e Beratit dhe zona e Divjakës ndërsa pas tyre renditen bostanorët.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB