
Një shoqatë hebrehe, e përqendruar në ndjekjen e ish-nazistëve pjesëmarrës në Holokaustin e Luftës së Dytë Botërore, i kërkoi Hungarisë që të marrë masa të menjëhershme ndaj një ish-funksionari të lartë hungarez, të dyshuar si përgjegjës për masakrimin e mijëra izraelitëve.
Shoqata “Simon Wiesenthal” i kërkoi Budapestit zyrtar që të vendosë menjëherë përpara drejtësisë Laszlo Csizsik-Csatary, i cili në moshën 97-vjeçare jeton në një apartament të thjeshtë në Budapest.
I moshuari, i cili ka mohuar pjesëmarrjen në masakra, dyshohet se ka qenë bashkëpunëtorë i nazistëve dhe se ka ndihmuar në shfarrosjen e 15 700 hebrenjve.
Nëpërmjet një komunikate, shoqata bëri me dije se si “ka paraqitur prova të qarta prokurorisë së Budapestit, në lidhje me krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore nga i dyshuari Laszlo Csatary, i vendosur në majën e listës të së shumëkërkuarve nga organizata”.
Sipas institutit, Csatary shërbei si një polic në qytetin sllovak të Kosices, në vitin 1941, duke ndihmuar në identifikimin dhe transportimin e hebrenjve në kampe shfarrosjeje.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Csatary gjeti strehim dhe jetoi për disa vite në Kanada, por pasi iu hoq nënshtetësia në vitin 1997, u zhduk për më shumë se një dekadë, përpara se të mësohej se ai ishte zhvendosur fshehurazi në kryeqytetin hungarez.
Top Channel