Incident në Gjirin Persik

16/07/2012 23:15

Luftëanija amerikane The USNS Rappahannock, qëlloi në drejtim të një barke që po i afrohej pavarësisht paralajmërimeve, larg brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Agjensia e lajmeve Asoshiejtid Press raporton për një të vrarë dhe tre të plagosur, por nuk ka konfirmim zyrtar për këtë bilanc.

Përmes një deklarate, Marina Amerikane në Bahrein shpjegoi se ekuipazhi në luftëanije qëlloi një barkë me motor pasi ajo shpërfilli paralajmerimet dhe iu afrua me shpejtësi luftëanijes, larg brigjeve Xhebel Ali, në afërsi të Dubait.

“Në përputhje me procedurat e mbrojtjes, marinarët bënë paralajmërime me mjete jo vdekjeprurëse, përpara se të përdornin armët, një automatik me kalibër 50.

Marina amerikane deklaroi se incidenti po hetohet. Mbetet e paqarte cfarë shtetësie kishin pjesëtarët e ekuipazhit të barkës.

Asoshiejtid Press raportoi se zyrtarë dhe policë të Emirateve të Bashkuara rrethuan menjëherë barkeë, që u afrua në një port të vogël të Dubait. Barka me tre motorrë ishte rreth 9 metra e gjatë.

Flota e Pestë e Marinës Amerikane është vendosur në Bahrein. Shtetet e Bashkuara shtuan praninë në Gjirin Persik pas kërcënimeve të Iranit për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, përmes të cilës kalon 20 % e naftës së botës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë përpjekur të bllokojnë importin e naftës iraniane, për të shtuar presionin ndaj Teheranit për programin e tij bërthamor. Perëndimi beson se Irani synon të krijojë bombën atomike, pretendim që rrëzohet nga autoritetet iraniane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA