Një delegacion i Parlementit Europian i udhëhequr nga Eduard Kukan mbërriti ditën e hënë në Beograd për të zhvilluar takime me zyrtarët e lartë serbë.

Mediat serbe njoftojnë se në qendër të këtyre bisedimeve është progresi i Serbisë në fushat e caktuara nga Brukseli për të marrë ftesën për t’u anëtarësuar pas marrjes së statusit të vendit kandidat vitin e kaluar.

Delegacioni i PE-së u prit nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliç u cili u theksoi europarlamentarëve se objektivi parësor i Serbisë është dhe do të mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian dhe se po punohet në këtë drejtim.

“Po punojmë dhe e dimë që kemi ende shumë punë për të bërë, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Nikoliç duke theksuar se anëtarësimi i Serbisë në BE është në interes si të Brukselit ashtu edhe të Beogradit.

Nga ana e tij, udhëheqësi i delegacionit të PE-së, Eduard Kukan shprehu besimin dhe mbështetjen e tij për dhënien e një datë të saktë për nisjen e bisedimeve mbi anëtarësimin e Serbisë në BE.

Top Channel