Përmbytje të mëdha në Japoni

15/07/2012 00:00

Ushtarë e policë japonezë janë duke ndihmuar në kërkimet për të zhdukurit në ishullin jugor të Kiushut, të prekur nga përmbytje masive e rrëshqitje toke, pasojë e reshjeve rekord të shiut.

Kushtet ekstreme të motit janë regjistruar edhe në kryeqytetin e vjetër të vendit, Kioto. Mijëra vetë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa bilanci i viktimave është 22 të vdekur.

Vetëm në prefekturën Fukuoka, sipas zyrtarëve vendas, ka pasur të paktën 181 rrëshqitje toke. Nga 190.000 vetë që ka kjo prefekturë, 65.000 morën urdhër për zhvendosje.

Shumica e viktimave janë nga qyteti Asos, ku 19 vetë gjetën vdekjen nga shkatërrimi i shtëpive të tyre apo vërshimi i ujërave të përzjerë me baltë. Agjensia Metereologjike e Japonisë thotë se brenda 72 orësh në Aso ka rënë më shumë se 75 centimetra shi në një kohë kur mesatarja mujore e reshjeve atje është vetëm 57 centimetra.

Edhe pse kushtet atmosferike u përmirësuan pak mëngjesin e sotëm, banorët janë paralajmëruar për mundësinë e një rikthimi të shirave të rrëmbyer, e bashkë me ta, edhe vërshimit të ujërave e rrëshqitjeve të frikshme të dheut.

Top Channel