Siria digjej, por Asma al-Assad nuk mendonte se ishte momenti për t`u frenuar nga kënaqësitë që të falin blerjet.
Në muajin mars bashkëshortja e presidentit sirian ka porositur nëpërmjet internetit rreth 130 artikuj në një dyqan londinez me vlerë 270.000 paundë, të cilat përfshijnë 5 llampadarë luksozë, sixhade, divanë e tavolina.
Orenditë ishin për njërin prej pallateve presidenciale. Në një rajon të mbytur nga diktaturat e konfliktet, Zonja e Parë e Sirisë e lindur në Britani, përshëndetej si fytyra moderne dhe e ndjeshme e botës arabe. E patën quajtur madje edhe “Princeshë Diana” e Lindjes së Mesme, për kombinimin e bukurisë dhe stilit të saj me një punë të palodhur për bamirësi.
Por e-maile-t e siguruara nga Ëikileaks e të cituara nga gazeta ‘Daily Mail’, tregojnë se 36-vjeçarja shpenzonte pa kriter e merrej me zbukurimin e rezidencës verore kur Siria po zhytej në një luftë të përgjakshme civile.
16.000 vetë kanë humbur jetën në Siri që prej fillimit të revoltës më shumë se 1-vjeçare, përfshirë dhe gra e fëmijë, por ndërsa civilë të pafajshëm ktheheshin në viktima të valës së skajshme të dhunës, zonja Assad as që kishte ndërmend të hiqte dorë nga planet e saj për të blerë mobilje nga më të shtrenjtat e për të bërë si përherë jetën luksoze me të cilën është mësuar, shkruan e përditëshmja britanike.
36-vjeçarja e përshkruar dikur nga reviste ‘Vogue` “një trëndafil në shkretëtirë”, kishte marrë përsipër zbukurimin e pallatit presidencial në qytetin bregdetar të Latakias, ku çifti gjen prehje nga i nxehti përvëlues i shkretëtirës. Madje një nga e-maile-t tregon se sa e shqetësuar ishte ajo për numrin e saktë të jastëkëve dhe për kanapenë e katit të poshtëm.
Top Channel