Shpesh herë ndodh që drejtues të institucioneve në Kosovë të bëjnë premtime publike dhe të mos i mbajnë ato. Kështu thonë në lëvizjen FOL, që gjatë së shtunës ka nxjerrë “Matësin e së vërtetës”.

Në mesin e deklaratave që FOL ka zgjedhur ka edhe deklarata kontradiktore. Një e tillë është e ministres për Integrime Europiane, Vlora Çitaku, e cila pati thënë në qershor të këtij viti se:

“Jam e bindur që klasa politike në Kosovë pa përjashtim ka arritur që të kuptojë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jetë parakusht për proçeset e mëtejshme integruese”.

“Çfarë nënkupton ky deklarim i ministres Çitaku? Që klasa politike nuk ishte e vetëdijshme para qershorit të vitit 2012 për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, si një parakusht për integrimin në BE?! Apo nënkuptojmë me këtë deklaratë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të ndodhë vetëm për hatër të BE-së?”, deklaroi Jetmirë Bajrami, nga lëvizja FOL.

Në mesin e deklaratave të pavërteta zë vend edhe ajo e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pati thënë se gjatë 15 muajve të mandatit të tij qeverisës do të përmbushen të gjitha kriteret për të mundësuar lëvizjn e lirë pa viza në tërë Europën.

Fushata mediale e misionit të Bashkimit Europian, EULEX-it, që paraqet të dhëna të shumta për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, por sipas FOL rezultatet janë të pamjaftueshme deri më tani.

“Zyrtarëve të ndryshëm u mungon çdo lloj ndjesie, madje absolute do të thosha, për përgjegjshmërinë që ata duhet ta kenë për fjalën e dhënë”, deklaroi Armend Mazreku nga lëvizja FOL.

Lëvizja FOL herë pas herë nxjerr “Matësin e së vërtetës” përmes të cilit vlerësohet vërtetësia e deklaratave publike të dhëna nga zyrtarë të ndryshëm shtetërorë.

Top Channel