Janë liruar katër shqiptarët e arrestuar nga EULEX-i të enjten në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, në veri të Mitrovicës. Lajmin e ka konfirmuar për “Kosovapress” zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.
Sipas tij, dy pjesëtarë të familjes Beci dhe dy tjerë të familjes Hajdari janë liruar me urdhër të gjykatësit ndërkombëtar. “Ndaj tyre do të ndiqet proçedurë e rregullt e hetimeve”, ka thënë Hoti.
Të rinjtë u arrestuan të enjten në mëngjes si të dyshuar për vrasjen e banorit serb Sava Mojsiç, në nëntor të vitit të kaluar në këtë lagje.
Mojsiç, së bashku me një grup serbësh, kishin hyrë për të vjedhur në shtëpitë e shqiptarëve të cilat ishin duke u ndërtuar, me ç’rast erdhën edhe të shtënat me armë zjarri, nga të cilat Mojsiç mbeti i vrarë.
Mojsiç ka qenë një person i njohur edhe më parë për organet e rendit, për vepra penale si vjedhje dhe plaçkitje.
Top Channel