Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të shefave të diplomacisë kosovare.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Hyseni e ka cilësuar si tërësisht të dështuar këtë sektor, që sipas tij nuk po funksionon.
“MPJ po manipulon opinionin publik përsa i përket numrit të njohjeve. Veç të tjerash, drejtuesit e diplomacisë nuk dinë të lobojnë në qendrat e fuqishme të lobimit”, ka thënë Hyseni.
Gjatë intervistës ai është shprehur se, Ministria e Jashtme dhe ministri Enver Hoxhaj janë nxjerrë tërësisht nga loja.
Ish-ministri i Jashtëm gjatë negociatave për statusin e Kosovës ka kërkuar faktorizimin sa më parë të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Kosovës.
Në fund të muajit të kaluar, Komisioni Kuvendor për Punët e Jashtme vendosi t’i dërgoje letër komisioneve homologe të 5 shteteve të BE-së, që qeveritë e tyre të pranojnë kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë seancës parlamentare për këtë vendim, Hyseni deklaroi se Kosova duhet të bëjë presion në qendrat e vendimmarrjes, si në Uashington DC, Bruksel, Londër e Paris.
“Mirëpo, gjithnjë duke insistuar në nevojën e një politike të unifikuar të Bashkimit Europian karshi Kosovës, përkatësisht duke insistuar që BE të braktisë politikën e neutralitetit ndaj statusit, si pasojë e mosnjohjes të Kosovës nga këto 5 shtete”, tha Hyseni.
Top Channel