Gjejnë ar duke kositur bar

14/07/2012 01:21

Një zbulim i jashtëzakonshëm, por jo për ata që e kryen. Dy punonjës komune ishin përfshirë në punën e tyre të zakonshme, atë të kositjes së barit, kur pas një gëmushe gjetën një qese plastike të mbushur plot me lingota ari.

Qesja peshonte 2,5 kilogramë, ndërsa vlera llogaritet në 104.000 euro. Ngjarja ndodhi në Klingau, një komunë e vogël zvicerane në kufi me Gjermaninë.

Policia për momentin nuk ka as idenë më të vogël se nga vijnë lingotat. Askush nuk e ka pretenduar deri më tani metalin e cmuar e nuk ka pasur asnjë lloj deklarimi për humbjen e tyre.

Lingotat ishin mbështjellë me letër të bardhë dhe shirit ngjitës. Sipas mediave vendase, dy punonjësit që i gjetën, fillimisht dyshuan mos bëhej fjalë për lëndë narkotike. Edhe ata vetë kanë mbetur të cuditur pa masë kur panë se cfarë përmbanin paketat në të vërtetë.

Sipas zëdhënësit të policisë rajonale, Bernhard Grasser, ky është një rast i paprecedent dhe vërtet misterioz. Pranë qeses dikush kishte nisur të hapte një gropë, por me sa duket nuk ka arritur ta përfundojë punën.

Lingotat kanë sipër mbishkrime që tregojnë se vijnë nga bankat UBS dhe Credit Suisse, megjithatë dy institucionet financiare kanë preferuar të mos komentojnë mbi ngjarjen, por të presin rezultatin e hetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA