Një vit para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoni, partitë politike kanë nisur me aktivitetet parazgjedhore dhe promovimin e kandidatëve për kryetar komunash.

Përderisa opozita maqedonase ka zbuluar emrat e disa kanidatëve të saj, në bllokun politik shqiptar deri më tani zyrtarisht është publikuar vetëm rikandidimi i kryetarit aktual të komunës së Tetovës, Sadi Bexheti nga Partia Demokratike Shqiptare në opozitë.

Sipas Bexhetit, Tetova, si një komunë me shumicë shqiptare vazhdimisht është diskriminuar nga ana e pushtetit qëndror, i cili të gjitha investimet i ka përqëndruar vetëm në Shkup. Ai tha se tetovarët duhet masivisht të dalin në zgjedhjet lokale të vitit 2013 për të ndryshuar këtë situatë.

“As në kohën e Millosheviçit nuk kanë ndodhur të tilla ndryshime në Maqedoni, ku kërkesat e shqiptarëve nuk përfillen. Ne jemi një masë private që në mënyrë stihike i realizon të drejtat e veta. Ne duhet që ndryshimet t’i bëjmë vetë. Ndryshimet bëhen me vota, nëse dalim të votojmë do të kemi ndryshime”, deklaroi Bexheti.

I pari i Tetovës këto komente i bëri gjatë një debati për ndikimin e rrjeteve sociale dhe mediave të reja elektronike në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Sadi Bexheti u ankua për shumicën e mediave në vend, për të cilat tha se me urdhër të pushtetit tentojnë të nxijnë imazhin e Komunës së Tetovës.

“Kemi përvojë shumë të hidhur me mediat. Në tre vjet e gjysmë që menaxhoj komunën kemi televizione që asnjëherë nuk i kanë dhënë deklaratat e vërteta nga Komuna, për këtë kemi argumente. Po të mos jenë mediat elektronike nga Republika e Shqipërisë ne do të ishim të izoluar totalisht”, theksoi Bexheti.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim nuk kanë dalë ende me emrat e kandidatëve të tyre, por disa prej kryetarëve aktualë tashmë publikisht kanë shprehur ambiciet edhe për një mandat të ri.

Top Channel