Ish-presidenti serb Boris Tadiç ka deklaruar se me lidershipin e dalë
pas zgjedhjeve të fundit, e ardhmja evropiane e Serbisë është në rrezik.

“Pas zgjedhjeve të fundit në vend, fati i Serbisë ndodhet në udhëkryq”, ka thënë Tadiç për mediat serbe nga samiti i Internacionales Socialiste.

Sipas tij, kjo situatë ka ardhur pasi partia e tij, që ka qenë garante e proçeseve integruese, nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar.

“Siç e kam thënë, pas largimit të koalicionit që ishte pro-evropian, tani rruga evropiane e vendit është në dyshim. Megjithatë, zyrtarëve të rinj u duhet dhënë mundësia që të tregojnë ndryshimin e vërtetë të mënyrës së mendimit dhe jo retorikës”, ka pohuar Tadiç.

Pasi humbi zgjedhjet e fundit, Tadiç priste të bëhej kryeministër i Serbisë, por në momentet e fundit presidenti i zgjedhur Tomisllav Nikoliç zgjodhi koalicionin me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç.

Pas kësaj Tadiç filloi të kritikonte ashpër krijimin e qeverisë, duke thënë se formimin e saj janë duke e ndikuar disa njerëz të pasur që plotësojnë kërkesat e partive.

Ai tha se kriminelët janë të lumtur por formimin e qeverisë mes socialistëve dhe progresistëve, kombinim që është konsideruar mjaft konservativ.

Top Channel