Sondazhet, Obama 3 pikë avantazh

13/07/2012 00:00

Barack Obama kryeson anketat e opinionit publik të cilat e rendisin në krye me tre pike diferencë ndaj rivalit republikan në garën për Shtëpinë e Bardhë, por mes grave të pamartuar ai gëzon dyfishin e mbështetjes krahasuar me Mitt Romney-n.

Sondazhi më i fundit i zhvilluar nga Universiteti Quinnipiac i jep Presidentit 46 % të votave, ndërsa ish-guvernatorit të Massachusests-it, 43 %. Anketa e zhvilluar pak përpara kësaj të fundit nga Washington Post dhe rrjetit televiziv ABC, tregonte se të dy kandidatët gëzojnë mbështetje të barabartë prej 47 përqind.

Edhe pse shumë është bërë për të ngushtuar hendekun gjinor dhe mënyrën se si merr shtysë fushata e Obames nga epërsia e tij mes votueseve femra, hendeku martësor është aktualisht më i thellë e më domethënës, thotë zëvendësdrejtori i Universitetit Quinnipiac, Peter Brown.

Këtë fenomen ai ia atribuon diferencave të moshës dhe sigurisë financiare mes grupeve. Të martuarit janë më në moshë, më të sigurtë financiarisht e me konservatorë se sa të pamartuarit, shprehet Brown. Radhet e të martuarve përfshijnë më shumë republikanë e më tepër votues të bardhë.

Ndërsa kanë mbetur më pak se 4 muaj nga dita e zgjedhjeve të 6 nëntorit, të dy kandidatët po shtojnë aktivitetet e fushatës, veçanërisht në një numër shtetesh, që pritet të përcaktojnë rezultatin.

Sipas Zërit të Amerikës, Presidenti Obama u tha votuesve në Iowa këtë javë se republikanët ankohen rreth punës së tij, por ndërkohë ofrojnë fare pak për sa i përket planeve specifike për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit si papunësia, zhvillimi ekonomik dhe deficiti.

Brown mendon gjithashtu se përpjekjet e fushatës së presidentit Obama për të shpenzuar miliona dollarë për reklama televizive kundër Mitt Romney-it në shtetet vendimtare mund të kenë dhënë një farë rezultati.

Top Channel