
Kryetari i lëvizjes Vetevendosje, Albin Kurti denoncoi në Kuvend letrën e bashkëshortes së ish-xhelatit të tij në burgun e Lipjanit.
Letra e dërguar në adresë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës pretendon pafajësinë e ish-gardiantit Zoran Koliç, i dënuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Por një nga viktimat dhe dëshmitërët e mizorive të gardianit serb ndodhet pikërisht në sallën e këtij Kuvendi. Deputeti i Vetevendosjes, Albin kurti ka qëndruar burgun e Lipjanit në maj dhe qeshor të vitit 1999.
“Në vend të tualetit kemi pasur një kovë plastike ku të burgosurit kanë vjellë pas rrahjeve e torturave të përditshme. Ushqim na kanë sjellë një ose dy herë në ditë, për 13 veta dy bukë dhe për dy veta 2 cm supë në fundin e një gote plastike. Në burgun e Lipjanit ishte edhe një gardian që të gjithë neve, e posaçërisht mua, më ka rrahur e torturuar. E mbaj mend mirë kur na thoshte: Cili prej jush do të vdesë sot meqenëse numri 13 është numër fatkeq? Ti Kurti, këshilltari i Demaçit, apo ti Selim Loku, ushtari i UÇK-së nga Hani i Elezit? Emri i këtij gardiani është Zoran Koliç. Ai sot është në burg në Kosovë për krime lufte. Këtë e mësova nga letra që na ka ardhur në kuti secilit prej neve deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga gruaja e Koliçit, e cila kërkon që ai të lirohet. Kushedi, ndoshta gruaja e Zoranit, nuk e njeh mirë të kaluarën e burrit të vet. Kjo letër që e keni secili prej jush është arsyeja pse po flas sot këtu”, deklaroi Kurti.
Kurti risolli në vëmendje protestat që janë bërë nga komuniteti serb, ndërsa tha se asnjë foto e Zoran Koliç nuk është shfaqur, pasi shumë shqiptarë do ta njihnin fare mirë, njeriun për të cilin në letër kërkohet drejtësi dhe vlerësohet si një shembull i mirë për komunitetin.
Në muajin maj, Zoran Koliç u dënua me 14 burg nga gjykata e qarkut në Prishtinë për rrahjen për vdekje të të burgosurit Gani Morina dhe keqtrajtimin e Jakup Rexhepit.
Top Channel