
Në Parlamentin e Kosovës ka dështuar për të dytën ditë rresht votimi për
shfuqizimin e vendimit të ministres Mimoza Kusari Lila për tarifën prej
35 për qind për importin e çimentos nga Shqipëria.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, shkak për këtë dështim është bërë mungesa e kuorumit të nevojshëm për rrëzimin e vendimit që ka shkaktuar shumë polemika.
Opozita kosovare ka fajësuar partitë në pushtet për mungesë të qëllimshme dhe ka kërkuar ndërprerjen e seancës, pasi sipas saj pa votimin ajo nuk mund të vazhdonte.
Debatet për heqjen e tarifës prej 35 për qind për importin e çimentos nga Shqipëria filluan ditën e enjte, me ministren Kusari Lila që ishte thirrur në interpelancë.
Vetë Lila, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, tha se vendimi do të ndryshonte brenda pak ditësh, nëse Shqipëria vendos masë mbrojtëse me Italinë.
“Ky vendim do të ndryshohet. Ka mbetur tek Shqipëria nëse do të vendosë masë mbrojtëse me Italinë. Varësisht do të vendoset masa në sasi, që nuk do të ketë doganë dhe në sasinë e pjesës tjetër që mund të ketë tarifë”, sqaroi Lila.
Ministrja mbrojti vendimin gjatë interpelancës së thirrur për këtë çështje, që sipas saj është në pajtueshmëri me ligjet në Kosovë dhe marrëveshjen e CEFTA-s.
Deputeti Emin Gërbeshi, nga radhët e AKR-së, i cili prezantoi mocionin, kërkoi shkarkimin e ministres, ndërsa i quajti të turpshme arsyetimet e saj dhe anti-shqiptar vendimin e marrë.
Top Channel