
Assad mund të përdorë armët kimike kundër opozitës dhe popullit sirian.
Ky është alarmi i lëshuar nga gazeta amerikane Wall Street Journal.
Sipas WSJ regjimi ka zhvendosur armët kimike nga depot ushtarake dhe mund t’i vendosë ato në përdorim në disa zona të vendit, në ato zona ku lufta me forcat opozitare është e ashpër.
Prej kohësh, shkruan gazeta amerikane, depozitat ushtarake me gaz nervin që asnjëherë nuk janë deklaruar ndërkombëtarisht nga Siria, janë boshatisur dhe ky gaz mund të përdoret në luftën e forcave të regjimit kundër opozitës dhe civilëve të pafajshëm.
Ky zhvillim i ri në konfliktin sirian ka ndarë politikanët amerikanë. Disa prej tyre deklarojnë se armët kimike, që prej kohësh janë të ndaluara për përdorim nga OKB, mund të përdoren në forcat qeveritare, ndërsa të tjerë mendojnë se lëvizjet janë një përpjekje e Damaskut për të zhdukur gjurmët e këtyre armëve në mënyrë që ndërkombëtarët të mos i gjejnë ato.
Armët kimike janë të klasifikuar si armë të shkatërrimit në masë nga OKB dhe përdorimi i tyre cilësohet si i jashtëligjshëm dhe kundër rregullave të luftës. Për herë të fundit, përdorimi masiv i këtyre armëve, vecanërisht gazit nervin, regjistrohet gjatë Luftës së Gjirit Persik nga Iraku i Sadam Husein në konfliktin e Kuvajtit.
Top Channel