Mbi 100 persona kanë vdekur në jug të Nigerisë pasi një çisternë që transportonte karburant u përplas dhe flaka e lëndës u përhap duke i përfshirë të gjithë.
Autoritetet thonë se automjeti nuk mori flakë menjëherë dhe kjo bëri që banorët e një fshati të vraponin drejt tij për të mbledhur karburantin e derdhur, por pikërisht atëherë ndodhi shpërthimi, që i dogji ata deri në vdekje.
Gazetari Emeka Idika tha për BBC se varrimi i personave të djegur të cilët nuk mund të identifikohen do të bëhet në shtetin e Riversit, ndërkohë që saktësoi se rreth 35 persona të tjerë janë dërguar në spital.
Reporteri tha gjithashtu se numri i viktimave mund të rritet pasi disa njerëz nga një tjetër fshat i afërt, Okogbe, ishin pranë zjarrit dhe trupat e tyre nuk janë lokalizuar ende.
“Herët në mëngjes, një çisternë e mbushur me benzinë u përmbys dhe njerëzit vrapuan për të mbledhur lëndën e derdhur, që papritur mori flakë dhe u mori jetën”, tha ndërkohë një zëdhënës i policisë për “Reuters”.
Ndërsa një gazetë lokale, “Nigeria’s Daily Times”, raporton se çisterna u përplas me tre makina të tjera. Aksidente të tilla nuk janë të rralla në Nigeri.
Disa qindra persona kanë vdekur në dekadën e fundit teksa përpiqeshin të mblidhnin karburant që rridhte nga tuba që ishin çarë apo dëmtuar qëllimisht.
Top Channel