Pas një debati prej gati tri orësh në lidhje me tarifën prej 35% të vendosur për importin e çimentos nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, kjo e fundit ka thënë se vendimi do të ndryshohet brenda pak ditësh. Kjo do të vijë, sipas saj, nëse Shqipëria vendos masë mbrojtëse me Italinë.

“Ky vendim do të ndryshohet. Ideja për t’u ndryshuar brenda pak ditëve është të ndryshohet në këtë formë. Unë po ju tregoj faktet, ndërkohë që është duke u realizuar konsultimi. Ka mbetur tek Shqipëria nëse do të vendosë masë mbrojtëse me Italinë. Varësisht do të vendoset masa në sasi, që nuk do të ketë doganë dhe në sasinë e pjesës tjetër që mund të ketë tarifë”, ka sqaruar Lila.

Ministrja Kusari Lila ka mbrojtur vendimin gjatë interpelancës të thirrur për këtë çështje, që sipas saj është në pajtueshmëri me ligjet në Kosovë dhe marrëveshjen e CEFTA-s.

Ministrja përmendi edhe një vendim të Gjykatës Supreme, sipas të cilit refuzohet kërkesa e dy kompanive, njërës nga Kosova dhe tjetrës nga Fushë Kruja e Shqipërisë, për të shtyrë vendimin, por ata nuk kanë argumentuar se vendimi do t’u shkaktonte dëme, ndërsa ka shtuar se për çfarëdo dyshimesh deputetët mund t’i drejtohen prokurorisë.

Këto deklarata Kusari Lila i bëri gjatë interpelancës se thirrur nga një grup deputetësh që kërkonin shfuqizimin e këtij vendimi. Por, kjo nuk ndodhi pasi në fund të saj nuk u votua fare në mungesë të deputetëve.

Deputeti Emin Gërbeshi, bashkëpartiak i ministres nga AKR, i cili ka prezantuar mocionin, ka kërkuar shkarkimin e ministres, ndërsa i ka quajtur të turpshme arsyetimet e saj dhe anti-shqiptar vendimin e marrë.

Në anën tjetër, partitë politike paraqitën qëndrimet e tyre në lidhje me këtë vendim, e disa prej tyre kërkuan shfuqizimin e tij meqë sipas tyre, krijon monopol në tregun e Kosovës dhe do të ndikojë në ngritjen e çmimeve.

Ndryshe, pavarësisht se mocioni nuk u arrit të votohej për shkak të mungesës së kuorumit, paraqitësi i kërkesës për interpelancë tha se do të shohin mundësinë që ta hedhin sërish në votim, por kjo mbetet të shihet pasi të premten është vazhdimi i kësaj seance të fundit, dhe pas kësaj deputetët shkojnë në pushimin veror.

Top Channel