Francë, Peugeot shkurton 8 mijë vende pune

12/07/2012 20:45

Prodhuesi francez i makinave Peugeot-Citroen ka në plan të shkurtojë 8 mijë vende pune dhe të mbyllë një impiant jashtë Parisit, si pasojë e rënies së të ardhurave.

Peugeot deklaroi se impianti Aulnaj në afërsi të kryeqytetit francez, ku punojnë 3 mijë persona, do të ndalojë punën në vitin 2014.

Një impiant tjetër, ai në Rene, në perëndim të Francës, pritet të shkurtojë 1400 vende pune nga 5600 punonjës që ka gjithësej.

Ndërkohë, një tjetër shkurtim prej 3600 vende pune do të shkurtohen në impiantet në të gjithë Francën.

Javën e kaluar Peugeot deklaroi se shitjet në gjysmën e parë të vitit kishin rënë me 13 për qind për shkak të krizës së thellë në tregjet e eurozonës.

Presidenti i kompanisë, Phillipe Varin pranoi se situata është e rëndë. “Jam plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e deklaratës së sotme, sikurse për tronditjen dhe emocionet që ndjejnë ata që do të lënë punën”, tha Varin në një deklaratë.

Ai vlerësoi se, thellësia dhe vazhdimi i krizës bëri të domosdoshme riorganizimin dhe se punëtorët që do të humbasin vendin do të marrin mbështetje dhe ndihmë për të gjetur një punë të re.

Pothuajse gjysmës së atyre që punojnë në impiantin Aulnaj do t’u ofrohet punë në impiantin tjetër të Peugeot, Poisi, po pranë Parisit.

Ndërkohë, një lider i sindikatave, Jean Pierre Mercier, nuk e ka pritur mirë njoftimin e presidentit të kompanisë dhe ka thënë: “Varin na ka shpallur luftë dhe ne luftë do t’i japim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA