Dhënia e autonomisë për veriun e Kosovës do të ishte me rrezik jo vetëm për Kosovën, por pasojat do të vërehen në shumë shtete të rajonit.Kështu thuhet në një studim të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) të publikuar gjatë së mërkurës me titullin “Autonomia për pjesën veriore të Kosovës: Shpalosja e skenarëve dhe pasojat për rajonin”.
“Si rezultat i kësaj, përfundimisht çka do të kemi në Kosovë? Do të kemi shqiptarë të cilët do ta ngrisin zërin dhe do të bëheshin më të zëshëm për bashkimin me Shqipërinë. Dicka e njëjtë do të ndodhë edhe në Maqedoni, ndërsa si refleksion i kësaj në Bosnjë do të kemi kërkesa të kroatëve për autonomi atje”, tha Shpend Kursani, KIPRED.
Sipas drejtuesve të KIPRED-it, autonomia e veriut të Kosovës do të jetë çmimi që do ta paguaj Kosova për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për çfarë bashkësia ndërkombëtare është e interesuar.Në një konferencë për media drejtori i këtij instituti, Ilir Deda, tha se lidershipi i Kosovës nuk ka vullnet ta parandalojë këtë autonomi për veriun.
“Për këtë e kemi edhe një presion ndërkombëtar që të krijohet një qeveri e re, apo siç i thonë vetë ndërkombëtarët ‘UÇK Qeveria’ e cila do të përbëhet prej PDK-së dhe AAK-së, sepse ata mendojnë se kjo qeveri mundet të japë autonominë në veri, pa pasoja të brendshme. Ky është një gabim jashtëzakonisht i madh i perëndimit”, t ha Ilir Deda, KIPRED.
Sidoqoftë, zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, por edhe ndërkombëtarë deklarojnë shpeshherë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as zgjidhje për veriun jashtë “Planit të Ahtisaarit”. Gjatë marsit të këtij viti nga foltorja e Kuvendit, duke iu kundërpërgjigjur zërave për ndryshim të kufijve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se, shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm.
Top Channel