Shqiptarët e lagjes veriore të Mitrovicës, Kroi i Vitakut, mëngjesin e së enjtes u zgjuan nën rrethimin e forcave policore të EULEX-it.

Dhjetëra pjesëtarë policie përmbysën gjithçka në dy familje shqiptare në një aksion, i cili duket se pati dy arsye, konfiskimin e armëve pa leje dhe zbardhjen e vrasjes se një pjesëtari të komunitetit serb të kryer në nëntor të vitit 2011.

Fillimisht, arsyetimi i policisë për këtë kontroll ishte dyshimi për armëmbajtje pa leje, por më vonë nga urdhëri i gjykatës, i cili iu dorëzua familjes Hajdari, u kuptua se aksioni ka të bëjë me hetimet për vrasjen e serbit Savo Mojsiç.

“Kanë kontrolluar krejt shtëpinë. Askush s’na ka bërë siç na bënë ata. Mi kanë marrë dy djemtë, ata janë të pafajshëm, kanë 78 orë dhe s’po i lëshojnë”, tregon Shehide Hajdari, kryefamiljare.

Familja Hajdari ndihet e pafajshme përballë dyshimeve për vrasje dhe kritikon forcat e rendit për lojë të dyfishtë, sepse siç thonë banorët, asnjëherë nuk është parë ndonjë aksion policor në shtëpitë e serbëve, të cilët vazhdimisht provokojnë situatën.

“Më kallzoi nëna që ata kanë ardhur dhe i kanë marrë djemtë. Bënë rrëmujë krejt dhomën”, tregon Mexhide Hajdari, familjare.

EULEX-i konfirmoi se gjatë aksionit u paraburgosën dy persona të dyshuar për vrasjen e Savo Mojsiçit dhe dy të tjerë u arrestuan për armëmbajtje pa leje.

Bëhet fjalë për dy djemtë e familjes Hajdari dhe dy të tjerë të familjes Beci, që të dyja nga Kroi i Vitakut. Në aksionin, i cili zgjati një orë, policia konfiskoi 2 pushkë “AK47”, 110 plumba, 1 pistoletë dhe një granatë dore.

Gjatë ditës familja Beci u vizitua nga pjestarë të Policisë së Kosovës, të cilët thoshin se nuk kanë asgjë në duar, por janë këtu në shenjë kujdesi për këtë grua, e cila pas arrestimit të dy djemve do të jetojë e vetme.

Top Channel